Zelensky ofroi dronë për raketat Tomahawk! Trump i pret shpresat: Sulmet tuaja në territorin rus do të përshkallëzonin konfliktin
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot gjatë takimit me presidentin Zalensky, se goditjet e Ukrainës thellë brenda territorit rus do të përfaqësonin një përshkallëzim të luftës.
Megjithatë, i pyetur nëse administrata e tij do të lejonte Kievin të ndërmerrte sulme të tilla, ai u përgjigj: “Do të flasim për këtë.”
Gjatë konferencës për shtyp, një gazetar ukrainas i propozoi Trump-it që Shtetet e Bashkuara t’i japin Ukrainës raketat Tomahawk, duke argumentuar se një veprim i tillë do të balanconte situatën në fushën e betejës, pasi Rusia ka përdorur raketa të ngjashme që nga viti 2022.
Trump e quajti këtë një “pyetje të drejtë” dhe, me humor, tha: “Është saktësisht ashtu siç të tha ai të thuash,” duke treguar me gisht nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas propozoi në takim një marrëveshje bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, duke sugjeruar se Ukraina mund të furnizojë Uashingtonin me “mijëra dronë” nëse SHBA lejon përdorimin e raketave Tomahawk nga Kievi.
I pyetur nëse një marrëveshje e tillë do të ishte me interes për administratën e tij, presidenti Donald Trump u përgjigj: “Po, do të ishte. Aktualisht kemi shumë dronë. Ne prodhojmë vetë dronë, por gjithashtu blejmë edhe nga të tjerët dhe ata [Ukraina] prodhojnë dron shumë të mirë.”