Arne Slot kërkon reagim nga Liverpool-i: Kërkohet një shkëndijë, s’mund të ketë justifikime
Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, doli sot në konferencë për shtypin, dy ditë para përballjes së madhe me Manchester United, duke folur për situatën e ekipit dhe gjendjen e disa prej lojtarëve kryesorë.
Holandezi konfirmoi se portieri Alisson Becker do të mungojë ende:
“Alisson nuk do të luajë dhe nuk do të kthehet as javën e ardhshme. Është e vështirë të thuhet saktësisht kur do të rikthehet, sepse faza e fundit e rikuperimit mund të ketë zhvillime pozitive dhe negative,” – u shpreh Slot, duke sqaruar se braziliani do të humbasë edhe ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Eintracht Frankfurtit dhe sfidën e Premier League-s kundër Brentford-it.
Lajm pozitiv për “The Reds” është rikthimi i Ryan Gravenberch, ndërsa ekziston mundësia që Ibrahima Konaté të jetë gati për t’u aktivizuar.
Në lidhje me Alexander Isak, trajneri holandez tha:
“Tani që ai ka pasur pesë ose gjashtë javë përgatitje, gjendja e tij fizike është afër nivelit të kërkuar. Prej tani mund ta vlerësojmë më drejt. Ai ka luajtur disa ndeshje dhe do të shohim progresin në javët e ardhshme.”
Slot foli edhe për momentin delikat që po kalon Liverpool-i, pas tri humbjeve radhazi:
“Këta lojtarë mund të kenë nevojë për mua, por jo që t’u tregoj se çfarë ka ndodhur. Kemi humbur tri ndeshje me diferencë të vogël, dy herë në minutën e fundit, dhe një me një penallti që duhej anuluar nga VAR-i. Megjithatë, rezultatet nuk gënjejnë: kur humbet tri herë radhazi, duhet të bësh më mirë.”
Ai shtoi se skuadra duhet të reagojë menjëherë:
“Nuk duhet të mbetemi te justifikimet. Duhet të ndërtojmë zakone, pavarësisht nëse fitojmë apo humbasim. Pas tri humbjeve, na duhet një shkëndijë, një ose dy për qind më shumë nga ne dhe nga tifozët tanë të dielën.”
Në fund, trajneri theksoi rëndësinë e përqendrimit te puna, jo te rezultatet e fundit:
“Lojtarët e nivelit të lartë nuk ndryshojnë mënyrën e përgatitjes në varësi të fitores apo humbjes. Bota e jashtme fokusohet te rezultatet, por ne duhet të fokusohemi te përmirësimi. Dhjetë ndeshje kanë qenë të ekuilibruara dhe ne po përpiqemi çdo ditë të ngushtojmë diferencën.”