Donaruma komenton kampionatin dhe Italinë: Serinë A e fiton Milani

Portieri i njohur Xhanluixhi Donaruma ka folur për të ardhmen e kombëtares italiane dhe për garën në Serie A, duke dhënë një mesazh optimist për tifozët.

Ish-portieri i Milanit, tashmë te Mançester Siti, është shprehur i bindur se Italia do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, duke mos lejuar që gabimet e së kaluarës të përsëriten.

“Herën e tretë nuk mund të ndodhë. Kjo Kombëtare do të jetë në Botëror. Nuk ka dyshime”, tha Donaruma.

“Mësimet e së kaluarës na japin kuptim. Nuk do të nënvlerësojmë askënd, askush nuk do të merret nën këmbë. Ky grup ka besim tek njëritjetri dhe do të jetë gati për play-off-in. Fjala play-off nuk na tremb”.

Portieri ka lavdëruar gjithashtu trajnerin Xhenaro Gatuzo, të cilin e përshkroi si një udhëheqës të fortë dhe të gjithanshëm. Ai nënvizoi rëndësinë e komunikimit dhe të ndërtimit të një identiteti të qartë kolektiv brenda skuadrës.

“Trajneri ynë e ndjen pas teje në çdo moment të ndeshjes, flet shumë dhe na shpjegon gjithçka. Ai na ka rikthyer shpejt një identitet të fortë kolektiv”, tha Donaruma.

Duke komentuar Serinë A, portieri ka theksuar se kampionati italian është shumë konkurrues dhe ka një intensitet të veçantë krahasuar me Premier League.

“Në Angli vrapohet nga fillimi deri në fund të ndeshjes. Te ne nuk është kështu, por kjo nuk do të thotë se është më mirë ose më keq. Ka katër apo pesë skuadra që mund të ndikojnë deri në kthesat e fundit, dhe kjo e bën Serinë A shumë interesante”.

Donaruma nuk ka ngurruar të shprehë edhe simpatinë e tij për Milanin, duke përmendur ambientin kuqezi dhe besimin që ekziston brenda klubit.

Ai foli për eksperiencën dhe njohuritë që ka marrë nga njerëzit që njohin mirë ambientin dhe për vlerën e Alegri-t dhe trajnerëve të tjerë të njohur.

Portieri ka komentuar gjithashtu për forcën e skuadrave të tjera në Serie A, duke përmendur Interin, të cilën e përshkroi si një grup të provuar dhe të fortë, si dhe Napolin e Konte-s, një skuadër energjike dhe e aftë.