'Absurditet në drejtësinë shqiptare'/ Cakrani: Gjykatat janë të kapura, ja përse kërkuam shtyrje të seancës

Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritej të shqyrtonte sot ankimin e bërë nga ish-presidenti Ilir Meta ndaj vendimit të GJKKO-së, e cila e la atë në arrest me burg. Meta përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës, Kujtim Cakrani, i cili kërkoi shtyrjen e seancës me arsyetimin se nuk ishte njoftuar për gjyqtarin që do ta drejtonte.

“Nuk isha i njohur se kush ishte gjyqtari i seancës, kjo është një çudi e madhe. Kërkova që të shtyhet seanca me qëllim që t’i komunikoj presidentit emrin e gjyqtarit, meqë ai është në konflikt interesi me të,” deklaroi Cakrani në dalje nga gjykata.

Gjyqtare e çështjes është zonja Saida Dollani, e cila, sipas avokatit, u habit pse ai nuk ishte njoftuar, pasi në dokumentin e njoftimit figuronte emri i kryesekretares së gjykatës dhe jo i saj. “Ky është një absurditet që ndodh vetëm në drejtësinë shqiptare. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë precedent të tillë më parë,” tha Cakrani.

Sipas tij, prokurori kërkoi vazhdimin e seancës, megjithëse kishte, siç tha ai, shkelje të qarta të procedurës ligjore. Në fund, gjykata caktoi datën 23 tetor, ora 14:00, për zhvillimin e seancës së ardhshme, që përkon edhe me një seancë paraprake tjetër të planifikuar në të njëjtën ditë, në orën 12:00.

Ne nuk mund ta vazhdonim seancën për respekt të procedurës dhe të klientit tim, sepse do të thuhej se e zhvilluam pa qenë njohur me gjyqtarin,” shtoi avokati.

Në lidhje me proceset gjyqësore të tjera, Cakrani tha se mbrojtja do të vazhdojë procedurat në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Strasburgut, duke nënvizuar se “nga gjykatat shqiptare nuk pritet asgjë, pasi ato janë të kapura.”

Cakrani:

As unë nuk isha i njohur se kush ishte gjyqtari i seancës, kjo një çudi e madhe, nuk di pse mund të ndodhte, dhe unë padyshim kërkova pastaj që të shtyhet seanca me qëllim që t’i komunikoj presidentit emrin e gjyqtarit, kush do ta gjykojë, meqë ai është në konflikt interesi me gjyqtarin.

Gjyqtare është zonja Saida Dollani, e cila edhe ajo u habit se përse nuk ishte njoftuar avokati, pasi në njoftim nuk ishte emri i saj, por emri i kryesekretares së gjykatës.
Ky është një absurditet që ndodh vetëm në drejtësinë shqiptare, nuk besoj se mund të ketë ndonjë precedent të mëparshëm. Ne këtë gjë e pamë, e konstatuam që në momentin e parë, por s’do të ishim të detyruar t’ia vinim në dukje gjyqtares, padyshim pastaj që ajo të shtynte dhe seancën.

Prokurori kërkoi vazhdimin, si gjithmonë që prokurorët janë kundër avokatëve edhe pse ka shkelje të ligjit. Gjithsesi, është problemi i tyre dhe ne, u caktua data 23, ora 14:00, për t’u zhvilluar seanca e ardhshme, që përkon edhe me datën e seancës paraprake që do të zhvillohet po në atë datë, më 23 në orën 12:00.

Në kushtet që ne u ndodhëm përpara, ku në sallë vinin gjyqtarë që ne nuk e dinim kush ishte, nuk kemi parë zonjën Dollani, absolutisht jo, problemi qëndron që unë nuk mund ta vazhdoja seancën për respekt të procedurës së klientit tim, sepse do të thuhej “ok, ti e zhvillove, por nuk ishe njohur me gjyqtarin.”

Sa i përket Kushtetueses, duhet të vazhdojë procedura sepse ne jemi për Gjykatën e Strasburgut, e kuptoi edhe Gjykata e Lartë edhe Gjykata Kushtetuese, ne nuk presim asgjë nga gjykatat shqiptare, duhet ta kuptojmë këtë gjë, këto gjykata janë të kapura.