Administrata e Trump përpilon listën e objektivave për hetime agresive, Sorosi qëndron në krye

Administrata e Donald Trump po planifikon ndryshime të mëdha në Shërbimin e Brendshëm të Tatimeve (IRS) për të mundësuar hetime më agresive ndaj grupeve që mbështesin majtizmin dhe donatorëve demokratë.

Sipas një raportimi nga ‘Wall Street Journal’, reforma e propozuar do të përfshijë emërimin e aleatëve të presidentit Trump në divizionin kriminal-hetimor të IRS-së (IRS-CI).

Gary Shapley, këshilltar i Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, po udhëheq këtë përpjekje.

Sipas medieve, thuhet se ai ka përpiluar një listë të mundshme objektivësh, duke përfshirë miliarderin donator George Soros dhe grupet e lidhura me të.

Kjo iniciativë është në përputhje me një projekt më të gjerë nga presidenti Trump për të hetuar mbështetësit financiarë të atyre që ai i quan grupe anarkiste në qytete të drejtuara nga demokratët.

Trump ka urdhëruar Bessent që të identifikojë rrjetet financiare që, sipas tij, nxisin dhunë politike.

Soros themeloi ‘Open Society Foundations’, që financon kauza të majta në mbarë botën.

Presidenti Donald Trump e ka sulmuar Sorosin disa herë publikisht, dhe në gusht ka kërkuar që ai, dhe djali i tij, të akuzohen sipas ligjit RICO, duke i akuzuar se financojnë protesta të dhunshme.

Kur u pyet për këto ndryshime, Shapley i tha ‘Wall Street Journal’: "Jam mirënjohës që vazhdoj rolin tim në reformimin e IRS-së".