Familja shqiptare shpërndante drogë për VIP-at me fëmijët në makinë/ Blerësja: Këto euro i keni dhuratë për të vegjlit

Nga Teodora Poeta, Il Messaggero

Në bregdetin e Rosetos, ata shpërndanin kokainë me cilësi të lartë, 100 euro për gram, për të investuar më pas paratë e fituara nga droga në vendin e tyre, Shqipërinë, edhe në prona që duhej të rinovoheshin.

Paratë e gatshme transportoheshin gjatë udhëtimeve me aeroplan në kuleta prej 10 mijë eurosh për çdo fluturim. Kishte profesionistë dhe tregtarë vendas me stabilitet të mirë ekonomik që siguronin për grupin e familjes shqiptare, të zbuluar nga karabinierët e Teramos, kërkesën e nevojshme për shpërndarjen e kokainës dhe konsolidimin e rrjetit të tyre.

Këtij rrjeti iu konfiskuan mbi 40 mijë euro para në dorë gjatë kontrollit dhe 12 mijë të tjera gjatë kontrollit të mërkurës së kaluar, kur ushtarët njoftuan masat e kërkuara nga prokurorja Monica Di Marco dhe të pranuara nga gjykatësi Roberto Veneziano: katër masa paraburgimi në burg dhe pesë të tjera me arrest shtëpiak me detyrimin e byzylykut elektronik.

Nga këta të fundit, përveç katër grave – përfshirë nënën 73-vjeçare të një të dyshuari, e cila për familjen e saj dorëzonte kokainën kur ata ishin në Shqipëri – ishte edhe i vetmi italian i përfshirë në hetim: një 65-vjeçar që bënte rolin e kujdestarit dhe transportuesit të drogës deri te destinacioni.

Nga shumë përgjime u zbulua se kishte raste kur disa dorëzime bëheshin ndërkohë që në makinë ndodheshin fëmijët e familjeve shqiptare, të cilët prindërit i merrnin me vete.

Në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit të kaluar, një profesioniste teramane madje shtoi 40 euro për ta nga paratë e kokainës që shkoi të blinte në një takim në parkimin e një supermarketi në Roseto: “Këto janë për fëmijët, që të blejnë çfarë të duan. Po, një dhuratë e vogël, nuk u blej asgjë kurrë”, dëgjohet nga përgjimet ambientale.

Sipas gjykatësit Veneziano, furnizimi, prodhimi dhe shitja me pakicë mund të konsiderohej një “biznes familjar”. Dhe gjithçka sepse “çdo çift punonte në bashkëpunim për arritjen e qëllimit të përbashkët të maksimizimit të të ardhurave, duke siguruar një nivel ekstrem të sigurisë”.

Blerësit ishin të gjithë persona të besueshëm, sepse njiheshin prej kohësh ose i përkisnin “profesioneve të veçanta”, me moshë midis 30 dhe 70 vjeç.

Në veçanti, një shqiptar që përfundoi në burg ishte ai që koordinonte aktivitetet kriminale, duke hartuar strategjitë dhe duke kujdesur për furnizimet, ndërsa italiani merrej materialisht me transportimin, shpërndarjen dhe magazinimin e kokainës. Kjo gjë ekspozohet nga fakti se pikërisht ai, në një episod, shkoi të kërkonte vendet ku mund të fshiheshin sasi të caktuara dhe më pas dorëzonte paratë e shitjeve tek shqiptari, i cili i urdhëronte të mbante llogaritë në rregull. Një aktivitet që i lejoi atij që të kishte një të ardhur fikse prej 3 mijë eurosh në muaj. Aq sa kur diçka nuk shkoi mirë, filluan ankesat e tij sepse ai ishte i përkushtuar plotësisht në shpërndarjen e kokainës. Disa ditë më pas pritet marrja e deklarimeve në hetuesi.