Hipokrizia e Edi Ramës: Nga garant i Gjykatës Speciale te mbrojtës i figurave të UÇK
Në debatin e zhvilluar në emisionin “Çim Peka Live”, qëndrimi aktual i kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vu sërish në qendër të vëmendjes. Por deklaratat e tij të sotme, që mbartin tone patriotike, bien ndesh me një histori veprimesh dhe qëndrimesh të kaluara që tregojnë një tjetër fytyrë të këtij raporti. Një rishikim i zhvillimeve të viteve të fundit zbulon një tablo plot kontradikta, ku hipokrizia politike duket se ka dominuar mbi parimet.
Në vitin 2015, kur në Kosovë diskutohej miratimi i Gjykatës Speciale, shumë nga udhëheqësit e mazhorancës së atëhershme hezitonin të jepnin votën për shkak të presioneve të brendshme dhe ndërkombëtare. Pikërisht në atë moment, Edi Rama ndërhyri si ndërmjetës, duke udhëtuar në Prishtinë me mesazhin se aleatët perëndimorë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, garantonin se liderët e UÇK-së nuk do të ishin në shënjestër të kësaj gjykate. Kjo ndërhyrje, sipas shumë analistëve, ishte presion për kalimin e ligjit.
Mirëpo, kur hetimet e para nisën pavarësisht atyre garancive, narrativa ndryshoi. U shfaq një plan i ri në tryezat diplomatike: shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas burimeve të kohës, ky plan u diskutua në një darkë ku morën pjesë Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ministri i jashtëm Ivica Daçiç. Ideja përfshinte një “amnisti të përgjithshme” për të dyja palët — një lloj marrëveshjeje politike që do të ndalonte ndjekjet penale për krimet e luftës dhe do të hapte rrugën për një marrëveshje përfundimtare midis dy shteteve.
Ky historik i lëvizjeve strategjike, nga mbështetja për gjykatën te planet për ndryshim kufijsh, hedh dritë mbi motivet pragmatiste që mund të fshihen pas retorikës së sotme të Ramës. Në skenën aktuale, ai shfaqet si mbrojtës i zëshëm i figurave të UÇK-së, duke sulmuar hapur drejtësinë ndërkombëtare dhe duke e paraqitur veten si zë të kombit shqiptar.
Megjithatë, kontrastet midis fjalëve dhe veprimeve mbeten të dukshme. Dhe pyetja që lind pas debatit në “Çim Peka Live” është e qartë:
Kush ëshhtë Edi Rama i vërtetë? Ai që dilte garant për Specialen dhe i bënte presion Thaçit ta votojë? Ai që vuri thikat në tavolinë për të coptuar Kosovën…? Apo ky sot që thërret protesta hipokrizie për komandantët e UÇK? Apo asnjëri.