Totti rrëfehet pa dorashka: Spalletti erdhi për të më larguar, por më shumë më zhgënjeu Roma

Francesco Totti, ish-kapiten legjendar i Romës, ka folur hapur dhe pa asnjë rezervë gjatë emisionit ‘Prime Sport’, të drejtuar nga ish-shoku dhe miku i tij, Luca Toni. Në një rrëfim plot sinqeritet, “Pupone” ka prekur çdo temë, nga kombëtarja italiane, te Balotelli, Ranieri e deri te periudha e vështirë me Luciano Spalletti-n.

“Ranieri? Nuk e kam dëgjuar që kur u kthye te Roma. Dhe Spalletti erdhi për të më larguar nga skuadra,” – u shpreh Totti me ton të prerë.

Fëmijëria dhe refuzimi i Milanit

Totti kujtoi fillimet e tij dhe dashurinë e pashuar për ngjyrat verdhekuqe:

“Në shtëpinë time të gjithë ishin tifozë të Romës, vetëm gjyshi e gjyshja ishin pak me Lazion. Babai im, në 25 vjet karrierë, nuk më tha asnjëherë ‘bravo’, por e shihja krenarinë në sytë e tij. Kur isha 12 vjeç, Braida erdhi në shtëpinë tonë dhe ofroi 160 milionë lireta për të më marrë te Milani. Por nëna ime donte të më mbronte dhe nuk pranoi, prandaj mbeta në Romë.”

“Giannini ishte si Zot për mua, Mazzone më ndryshoi jetën”

“Kur u bashkova me Romën, për mua Giannini ishte si një Zot dhe pak muaj më vonë luaja përkrah tij. Mazzone ishte si babai im i dytë, më ndryshoi karrierën,” kujton Totti me emocion.

Më tej, ai zbuloi edhe disa oferta të mëdha:

“Përveç Real Madridit, mora një ofertë shumë të madhe nga MLS në SHBA. Para ndeshjes sime të lamtumirës, më telefonoi edhe Mihajloviç për të shkuar te Torino, por nuk mund ta imagjinoja veten me një fanellë tjetër. Nuk jam penduar kurrë. Roma ka qenë dhe mbetet zgjedhja ime e vetme. Jam lindur këtu dhe këtu do të vdes. Do të jetë e vështirë të gjendet një tjetër që do të bëjë për këtë klub atë që bëra unë.”

Konflikti me Spallettin dhe zhgënjimi me klubin

Ish-kapiteni i Romës u ndal edhe te marrëdhënia e prishur me Spalletti-n, gjatë rikthimit të trajnerit në vitin 2016:

“Spalletti erdhi te Roma për të më përzënë, i mbështetur edhe nga shoqëria. Çdo herë kishte probleme me mua. Ishte një tjetër Spalletti, krejt ndryshe nga ai i vitit 2005. Ai ndoshta beson se unë e bëra të largohej për t’i lënë vend Ranierit, por nuk është e vërtetë. Drejtuesit na thirrën ne, lojtarët, për të zgjedhur mes Mancinit, Ranierit dhe të tjerëve.”

“Për largimin tim, ishte klubi që më tha se duhej të ndaloja. Një ditë më erdhën në shtëpi dhe më njoftuan se do të luaja derbin tim të fundit. Unë nuk jam budalla, e dija që një ditë do të vinte fundi, por ndihesha ende mirë fizikisht dhe mendërisht. Në atë moment më zhgënjeu më shumë Roma sesa Spalletti. Besoj se isha pengesë për ta. I kisha thënë klubit se do të luaja edhe falas, vetëm për fanellën.”

Lamtumira e dhimbshme

Pas përfundimit të karrierës, Totti përshkruan një periudhë të errët dhe emocionale:

“Kur ndalova së luajturi, ndihesha si pa tokë nën këmbë. Për tri javë kam qarë çdo ditë. Kisha frikë, ndieja një boshllëk të madh. Lexoja në banjë letrën e lamtumirës dhe qaja, duke menduar si kishin kaluar 25 vjet. Isha i bindur se do të bëja një tjetër ndeshje përshëndetëse, por pas emocioneve të atij takimi në ‘Olimpico’ kuptova se nuk mund të kishte një tjetër lamtumirë, as për futbollin, as për Romën. Ajo ditë ishte si ndarja mes një nëne dhe fëmije.”

Një rrëfim i thellë, njerëzor dhe i dhimbshëm nga simboli i përjetshëm i Romës, që edhe sot – larg fushës – mbetet zëri i shpirtit verdhekuq.