57 eurodeputetë kërkojnë veprime të Komisionit të BE-së ndaj kampit italian të Gjadrit në Shqipëri
Nga Alba Kepi
‘Komisioni Evropian të veprojë kundër shkeljeve të rënda të qeverisë italiane në Shqipëri, duke nisur edhe një procedurë kundër shkeljes së ligjit.’
Këtë e kërkojnë në një letër drejtuar komisionerit për migracionet Magnus Brunner eurodeputetët e PD-së Alessandro Zan dhe Cecilia Strada, dhe eurodeputetja e S&D-së Birgit Sippel, së bashku me 54 eurodeputetë të tjerë nga vende dhe grupe të ndryshme politike (S&D, Greens, The Left), me të gjitha partitë e opozitës italiane.
‘Komisioneri Brunner të mos bëjë se s'dëgjon: Giorgia Meloni në Shqipëri ka shkelur të drejtën evropiane, siç kemi denoncuar prej muajsh me pyetje parlamentare, dhe Komisioni e pranon se është në dijeni. Tani presim masa konkrete’, thonë Zan dhe Strada.
‘Qeveria e Melonit ka krijuar një sistem menaxhimi të migracionit që nuk respekton juridiksionin evropian, me deportime direkte nga territori shqiptar, në shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian. Modeli i imponuar nga qeveria italiane dëmton shtetin e së drejtës, është jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe krijon një ‘zonë gri’ të rrezikshme jashtë kuadrit të ligjshmërisë evropiane, ku personat migrantë privohen nga mbrojtjet e parashikuara nga Karta e të Drejtave Themelore dhe nga konventat ndërkombëtare.
Gjykata e Drejtësisë tashmë ka konfirmuar papajtueshmërinë e këtij modeli me të drejtën e BE-së, dhe tani edhe Gjykata e Lartë italiane ka kërkuar një vendim mbi ligjshmërinë e CPR-ve në Shqipëri’, shpjegojnë deputetët. Ata theksojnë se Komisioni, edhe pse i vetëdijshëm për këto operacione falë pyetjeve të tyre të shumta, deri tani është kufizuar vetëm në deklarata se po monitoron respektimin e rregullave. ‘Një qëndrim i papranueshëm që rrezikon të kthehet në një bashkëfajësi për pasivitet. Komisioni duhet të mbrojë traktatet, jo të jetë spektator i këtyre shkeljeve të vazhdueshme dhe të dukshme. Është koha që Komisioni të veprojë, duke marrë masa konkrete. Në lojë nuk janë vetëm të drejtat e personave migrantë, por edhe besueshmëria e vetë Bashkimit Evropian si hapësirë e lirisë, demokracisë dhe ligjit’, përfundojnë ata.