Shpëtohet breshka e detit në Palasë, kishte ngecur në rrjetat e hedhura në paligjshmëri
Një breshkë deti është shpëtuar në zonën e Palasës pasi kishte mbetur e ngecur në rrjeta të hedhura në mënyrë të paligjshme pranë bregut. Koka e saj ishte mbështjellë nga rrjetat, duke e penguar të merrte frymë dhe duke e vënë në një gjendje të vështirë.
Breshka u shpëtua nga Kosta Xhaho, aktivist mjedisor dhe pjesë e organizatës më të madhe mjedisore në vend, PPNEA, e cila merret me monitorimin e faunës detare, përfshirë fokën dhe breshkat.
“Sot ishim në terren për monitorimin e fokave, por rastësisht vumë re breshkën e ngecur. Fatmirësisht e pashë në kohë dhe arritëm ta shpëtojmë,” – u shpreh Xhaho.
Ky është një tjetër rast që tregon dëmet që shkaktojnë rrjetat e hedhura në mënyrë të paligjshme në det, të cilat rrezikojnë seriozisht jetën e shumë gjallesave detare të mbrojtura.