Sinjal për krizën e thellë në drejtësinë e re, GJK i hap rrugë Presidentit për shpalljen e vakancës për mandatin e Sonila Bejtjas

Gjykata Kushtetuese i jep Presidentit të Republikës Bajram Begaj të drejtën për të shpallur vakancën në vendin e anëtares Sonila Bejtja.

Ky vendim vjen në një moment kritik për besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë dhe tregon edhe një herë dështimin e modelit të ndërtuar pas reformës, i cili sot përballet me ngërçe kushtetuese.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka pranuar zyrtarisht se ndodhemi në një fazë tranzitore, duke e justifikuar zëvendësimin e Bejtjas me nevojën për përteritje të pjesshme të anëtarëve. Sipas vendimit, ky proces është i domosdoshëm për të rikthyer “funksionimin e rregullt dhe të balancuar të institucionit”, pas krizës së thellë që ka goditur gjykatën vitet e fundit.

Vendimi është një pranim i heshtur se pavarësisht parashikimit të qartë kushtetues për mandat 9-vjeçar, për anëtarët aktualë do të veprohet ndryshe, duke u përshtatur me kalendarin e përplasjeve politike dhe rindërtimit institucional që ka karakterizuar reformën në drejtësi. Me këtë vendim, Presidenti i Republikës Begaj i jepet një rol kyç në përbërjen e ardhshme të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që mazhoranca socialiste ka akuzuar shpesh institucionin e Presidentit si “pengesë për reformën”. Në të vërtetë, vendimi i sotëm tregon se ishte kapja politike ajo që e ka penguar funksionimin e Gjykatës për kaq gjatë.

Ky zhvillim hap një tjetër kapitull në betejën institucionale për drejtësinë, ku balancat kushtetuese mbeten të brishta, ndërsa nevojat e sistemit shpesh përkulen përpara kalkulimeve politike.