'Drejtësia e re, fuqizon korrupsionin', Hoxhaj: Kreu i SPAK pranoi dështimin, fondet e BE përfunduan në xhepat e kupolës së PS
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Julian Hoxhaj, gazetar dhe autor i emisionit "Plug" në SYRI TV, foli mbi situatën alarmante të korrupsionit në pushtetin vendor dhe dështimin e reformës në drejtësi për të garantuar llogaridhënie.
Hoxhaj theksoi se e ashtuquajtura "Drejtësi e Re" jo vetëm që nuk ka goditur korrupsionin, por sot po shërben si mburojë për zyrtarët e lidhur me pushtetin, duke i bërë ata më të paprekshëm se kurrë.
Duke u ndalur te rasti i fundit i kryetarit të bashkisë së Poliçanit dhe skandali me fondet IPARD, ai ngriti alarmin se më shumë se 80% e kryebashkiakëve aktualë, sipas tij, do të duhej të ishin në burg nëse SPAK do të kishte vërtet vullnet dhe kompetencë të plotë hetimi.
Gazetari Hoxhaj solli në vëmendje edhe deklaratat publike të kreut të SPAK, Altin Dumani, duke sugjeruar se ato përbëjnë një pranim të heshtur të dështimit përballë presionit politik dhe mungesës së veprimit përballë aferave që përfshijnë kupolën e PS-së. Ai akuzoi mazhorancën se po pengon me vetëdije hetimin e skandalit të fondeve IPARD, për të mbrojtur shtabin elektoral të PS-së, ndërsa shprehu bindjen se pa presion publik dhe pa ndërhyrje të BE-së, drejtësia do të vijojë të jetë e kapur.
Pjesë nga deklarata:
Ka një përhapje, një metastazë të qelizave kancerogjene që po i marrin shpirtin shoqërisë shqiptare. Duke u nisur nga rasti i kryetarit të bashkisë së Poliçanit, po ju them se nëse SPAK apo prokuroritë e rretheve do të kishin kompetencën për të hetuar kryebashkiakët në vend, më besoni që, në këndvështrimin tim, rreth 80% e kryetarëve të bashkive që janë në detyrë do të duhej të ishin në burg. Ka histori nga më të llahtarshmet, nga më të tmerrshmet.
Rasti i fondeve IPARD është nga ato raste që nuk mund të anashkalohet, një skandal i madh, sot kur Parlamenti, deputetët e Shqipërisë, mazhoranca socialiste refuzon të ketë një hetim parlamentar për një prej skandaleve që nuk përbën thjesht një skandal që lidhet me fondet apo taksat e qytetarëve shqiptarë, por është një skandal sepse janë abuzuar taksat e qytetarëve europianë.
Duhet ta kuptojnë qytetarët dhe fermerët shqiptarë se nëse kjo qeveri ka propaganduar dhe e ka përdorur si kartë elektorale integrimin në BE, unë po ju them se vetëm për shkak të fondeve IPARD, kjo qeveri i ka gënjyer qytetarët shqiptarë dhe nuk e ka seriozisht dhe nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE.
Një qeveri e përgjegjshme, jo vetëm që do të duhej ta kishte hetuar vetë që nga fillimi këtë aferë të madhe, por një qeveri e përgjegjshme do të kishte lëvizur çdo mekanizëm që sot qytetarët shqiptarë, dhe kryesisht fermerët, të përfitonin 112 milionë euro që mbahen pezull nga BE për shkak të moshetimit të fondeve IPARD.
Kjo mazhorancë nuk do të hetohet afera e IPARD sepse do të hetohet i gjithë shtabi elektoral i PS. Pra, njerëzit që kanë përfituar fondet e BE-së dhe të taksapaguesve europianë, të cilat ishin ndihmë për fermerët, kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve më të lartë të kupolës drejtuese të PS: deputetë, ministra, ish-deputetë, kryetarë bashkish, zyrtarë të të gjitha niveleve — dhe janë njerëzit që rezultojnë të jenë figurat kyçe të fushatave elektorale të PS në të gjitha qarqet e vendit.
Kjo është arsyeja pse sot Edi Rama nuk do që fondet IPARD të hetohen dhe kjo aferë të zbardhet.
Është për të ardhur keq që sot institucionet e drejtësisë, edhe për shkak të reformës në drejtësi, për shkak se korrupsioni apo shpërdorimi i detyrës janë vepra që duhet t’i hetojë SPAK, sot kemi një kufizim të mundësisë për të hetuar në shkallë të gjerë shpërdorimin e detyrës apo korrupsionin e zyrtarëve lokalë.
Ju e keni parë që deri më sot SPAK ka hetuar jo më shumë se 10–15 kryebashkiakë, ndërkohë që shumë prej tyre, mbi 35, kanë qenë me probleme. Por të hetuar dhe të gjykuar ka vetëm një grup të vogël.
Ka një specifikë: këta personazhe, për shkak të largësisë nga qendra e Tiranës, për shkak të konjukturave të ndryshme apo edhe mungesës së frikës nga drejtësia, mendojnë se duke qenë kryetarë bashkish në rrethe janë të paprekshëm dhe kanë zgjedhur ta bëjnë në mënyrën më skandaloze korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.
Mjafton që SPAK të ketë, ashtu siç tha Duman, një lloj bashkëpunimi më të thelluar me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të marrë raportet e KLSH-së. Çdo raport dhe çdo audit i KLSH-së për bashkitë e vendit dhe më besoni se SPAK nuk do t’i dalë koha vetëm për t’u marrë me kryebashkiakët e vendit.