SYRI TV/ Fillon festivali i Orkestrës së Harqeve - Mbi 200 artistë pjesë e organizimit
Ka nisu edicioni i 10-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Orkestrës së Harqeve dhe Muzikës së Dhomës në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Organizimi solli emocion për publikun artdashës. Aktiviteti synon promovimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e zhvillimit të muzikës profesionale në vend.
Syri TV
Në Teatrin “Skampa” të Elbasanit ka nisur edicioni i 10-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Orkestrës së Harqeve dhe Muzikës së Dhomës. Në natën e parë performuan Orkestra Profesioniste e Elbasanit dhe ajo e Tiranës, të cilat sollën për publikun elbasanas emocione të forta përmes veprave muzikore të përzgjedhura me elegancë dhe pasion. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit festivali solli edhe risi, pasi pjesë e orkestrës u bënë edhe instrumentistë frymorë. Drejtori i Festivalit, Blerim Narazani, theksoi rëndësinë e këtij eventi që çdo vit fiton vlerë të veçantë, duke shtuar se qëllimi kryesor mbetet promovimi i talenteve të reja në fushën e muzikës. Ai ngriti shqetësimin se interesi për shkollat e muzikës dhe Universitetin e Arteve është në rënie, ndërsa të rinjtë e talentuar shpesh e braktisin pasionin e tyre për mungesë mbështetjeje.
Edhe mjeshtri i violinës dhe drejtuesi i orkestrës, Zeqir Sulkuqi, vlerësoi nivelin artistik të këtij edicioni, duke falënderuar instrumentistët profesionistë të Elbasanit për performancën e tyre të shkëlqyer. Ai theksoi se promovimi i festivalit duhet të bëhet në mënyrë më të gjerë për të tërhequr më shumë publik dhe mbështetje.
Për pjesëmarrësit nga qytete të ndryshme të vendit, mbrëmja u shoqërua me emocione të veçanta dhe entuziazëm për nivelin gjithnjë në rritje të instrumentistëve. Ata u shprehën falënderues për ftesën dhe shpresojnë që Elbasani të ketë së shpejti një orkestër simfonike të përhershme.
Festivali do të vazhdojë me performanca të orkestrave dhe ansambleve të tjera nga Elbasani dhe qytete të ndryshme të vendit duke sjellë në skenë mbi 200 artistë.