A është koha për të hequr orën e murit?

Nga Jazz Charton/

Së fundmi, më është dashur të mbroj mospëlqimin tim për orët e murit përballë fëmijëve të mi të vegjël, të cilët po mësojnë të lexojnë orën dhe kanë kërkuar një të tillë. Është e vërtetë ajo që thuhet, se të kesh fëmijë të bën të përballesh me të metat e tua, madje edhe me ato që nuk ndihesh i detyruar t'i zgjidhësh. Më është dukur mjaft e vështirë të shpjegoj natyrën ekzistenciale të neverisë sime ndaj ndërgjegjësimit për kohën dhe nga mund të vijë ajo. "Mami nuk i pëlqen orët e murit sepse i kujtojnë shkollën" ndoshta nuk është shprehja ime më e zgjuar, por ka të vërtetë në të.

Ka disa përvoja në shkollë që të formojnë ose të shkatërrojnë. Si për shembull, ta shqiptosh keq një fjalë dhe ajo të të ndjekë përgjithmonë, të humbasësh në mendime gjatë një debati në klasë e më pas të të kërkohet mendimi, apo tmerri kur i thua mësueses "mami" pa dashje. (Momente që të bëjnë të mendosh se ndërrimi i shkollës dhe i emrit është një zgjidhje logjike.) Por asnjëra nuk krahasohet me ankthin që ndiej kur kujtoj tik-takun e tmerrshëm të orës së klasës, sidomos gjatë provimeve. Si Kapiten Grremçi që çmendej sa herë dëgjonte tik-takun e krokodilit (që kishte përpirë një orë) të vendosur ta zhdukte, ashtu edhe unë pushtohem nga një ndjenjë ogurzezë.

Është e vështirë të flasësh për traumën e papërpunuar të fëmijërisë me fëmijë që sapo kanë humbur dhëmbin e parë të qumështit. Kështu që, si çdo nënë e shtypur emocionalisht, por me dashuri dhe një këngë të "KPop Demon Hunters" në zemër, shkuam në dyqanin më të afërt të artikujve shtëpiakë për të parë çfarë ofronte bota e orëve analoge.

Teksa shihja ekspozimin e kufizuar, kuptova se orët e murit ishin bërë aq të parëndësishme në jetën time digjitale, sa më dukeshin të huaja. Më kujtohet vagullt moda e orëve të mëdha gjatë periudhës "shabby chic", por me sa duket, të gjithë e kemi rimarrë mendjen. A janë vërtet ende të nevojshme?

U përpoqa të mos shihja drejt orëve klasike bardh e zi, si ato të shkollave, por ato sërish më rikthyen kujtimin e sallës me mure jeshile ku nxënësit shkruanin me vrull ndërsa ora numëronte zhurmshëm minutat që na ndanin nga dorëzimi i së ardhmes sonë në një fletë provimi. E përzura ndjesinë dhe më në fund vendosëm për një orë me dizajn danez, të vogël dhe me ngjyra, që përpiqej ta fshihte natyrën e saj tinëzare.

Në shtëpi duhej të vendosnim ku do ta varnim. Çdo vend, për mua, ishte tepër i dukshëm, por kuptova se nuk kisha parë një orë analoge në ndonjë shtëpi prej kohësh. A kishim bërë të gjithë një marrëveshje të pashkruar që ishim gati t'i hiqnim këto relikte të lashta? Të vetmet që mbaja mend ishin ato të gjysheve të mia, antike, të zhurmshme, me zbukurime të arta dhe gjithmonë të ekspozuara me krenari.

Gjyshja ime irlandeze kishte një në mantel që paraqiste një bari që vallëzonte me një dele sa herë që ora shënonte orën e plotë. Në fillim ishte simpatike, por shpejt u gjenda e mbërthyer në një rreth ankthi, duke pritur me frikë përsëritjen e skenës. Ndërsa gjyshja ime franceze kishte një orë të madhe "grandfather" në një dhomë shumë të vogël për përmasat e saj. Tani, çdo herë që i dëgjoj tingujt në filmat horror, e kuptoj pse. Këto kujtime nuk ndihmuan aspak në vendosjen e orës sonë.

"Orët e murit në dhomat e ndenjjes apo dhomat familjare duken shumë të vjetruara," thotë dizajnerja Jennifer Press. "Tani i shoh vetëm në dhomat e fëmijëve, dhe edhe aty janë gjithnjë e më të rralla; zakonisht janë me ngjyra, lozonjare dhe me stil skandinav." Kështu që vendimi u mor, ora do të vendosej në dhomën e fëmijëve.

Tani më duhej të përballesha me neverinë time. Nuk është se nuk dua të di orën, por më streson lëvizja e akrepit të gjatë. Pasi kreu një sërë eksperimentesh mbi performancën dhe ndërgjegjësimin ndaj kohës, profesorja e Shkencave të Sjelljes në shkollën e biznesit HEC Paris, Anne-Laure Sellier, konfirmon se "ndërgjegjësimi i vazhdueshëm për kohën mund të na bëjë më pak produktivë" dhe orët "mund të na bëjnë të performojmë më keq", sidomos në detyra që kërkojnë përqendrim dhe vetëkontroll. Befasuese, apo jo?

Zoti e di që koha nuk është në anën time: një minutë nuk duket kurrë më e gjatë sesa kur pres, por as më e shkurtër sesa kur jam me vonesë. Ndoshta ndaj më pëlqejnë ekranet digjitale pa sekonda që trokasin, sepse misteri i kalimit të kohës mbetet pas perdes. Koha ndodh në ato ekrane, por kalon pa tik-takun e akrepit të minutave.

"Koha duket sikur përshpejtohet ndërsa plakemi," shkruan dr David Eagleman, profesor i psikologjisë dhe shkencave të shëndetit publik në Universitetin Stanford, në një artikull shkencor. Dhe në një farë mënyre, ka të drejtë: "Kur je fëmijë, çdo gjë është e re dhe truri yt krijon rrjete të dendura kujtimesh për ato përvoja. Si i rritur, ke parë shumë më tepër, ndaj ngjarjet e reja nuk gjenerojnë më të njëjtën ndjesi. Kështu që, kur kthehesh pas, thua: 'Ku iku gjithë ajo kohë?'"

Ndërsa i shikoj fëmijët e mi, me trurin e tyre të freskët që përthith gjithçka, duke shtuar në kujtesën e tyre të vogël aftësinë për të lexuar orën në orën e re, mund ta lë mënjanë kronofobinë time dhe thjesht të shijoj të tashmen. Sepse në fund, nëse kam mësuar diçka nga gjithë kjo, është se shumë shpejt do të jem unë ajo që do të pyes: "Ku iku gjithë ajo kohë?" / FT - Syri.net