‘Edhe e shkatërruar, kjo është shtëpia ime’/ Banorja e Gazës e vendosur të qëndrojë mes rrënojave
Ndërsa armëpushimi në Rripin e Gazës hyn në ditën e gjashtë, shumë banorë po përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre të rrënuara nga bombardimet. Mes tyre është edhe Hayam Meqdad, një grua palestineze nga qyteti i Gazës, e cila, pavarësisht shkatërrimit të plotë të banesës së saj, refuzon të largohet.
“Ne do të qëndrojmë, çfarëdo që të shkatërrojnë, ne do të qëndrojmë. Do të qëndrojmë. Do të qëndrojmë,” shprehet ajo me vendosmëri, teksa ecën mbi rrënojat e shtëpisë së saj.
“Kjo ka qenë shtëpia ime, kjo është jeta ime. Nuk mund të sjellim askënd këtu sepse nuk ka çadra, nuk ka asgjë për të na strehuar,” thotë Meqdad, duke treguar mungesën e kushteve minimale për të mbijetuar.
Por as këto vështirësi nuk e lëkundin qëndrimin e saj. “Edhe nëse është e shkatërruar, unë do të jetoj mbi të. Nuk do ta lë shtëpinë time, edhe nëse është dita e fundit e jetës sime,” përfundon ajo.
Pamjet nga terreni tregojnë qartë pasojat e luftës, por edhe qëndresën e njerëzve që, edhe mes rrënojave, refuzojnë të dorëzohen./BBC