'U ka dalë boja dhe mosha'/ Lela: PS po shet patriotizëm të rremë për Kosovën, historia u shkon kundër

Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, e ka cilësuar seancën e sotme në Kuvend si “një shfaqje të shëmtuar”.

Duke iu referuar diskutimeve për Kosovën, Lela tha se bëhet fjalë për “një moment të fabrikuar për të shitur një patriotizëm kallp dhe një nacionalizëm që i ka dalë boja e mosha”. Ai shtoi se përfshirja e figurave të Partisë Socialiste në këtë debat është hipokrite, pasi “historia u shkon kundër në këtë patriotizëm”.

Lela theksoi se nëse socialistët do ta kishin me të vërtetë shqetësim çështjen e Kosovës dhe të luftëtarëve të UÇK-së, do të kishin miratuar me kohë rezolutën e propozuar nga PD për njohjen e gjenocidit serb. “Një parti që tërhiqet nga miratimi i rezolutës nuk mund të luajë më vonë rolin e patriotes së madhe”, deklaroi ai.

Më pas, Lela u ndal edhe te Presidenti Bajram Begaj, duke thënë se “nëse Ramën apo Partinë Socialiste do t’i shqetësonte mënyra se si duket Begaj, nuk do ta përdornin vazhdimisht ashtu siç e përdorin”.

Lela:

Është qartësisht një moment i fabrikuar për të shitur me çfarëdo çmimi që mund ta shesin, për ato që e blejnë, një patriotizëm kallp, një nacionalizëm që i ka dalë edhe boja, edhe mosha, qoftë edhe vetë përfshirja politike e PS-së, pasardhëse e Partisë së Punës, në këtë Kosovë-dashuri, ose në këtë patriotizëm 2.0, është gjëja e parë që të lë shije të keqe.

Pastaj është përfshirja e personazheve të ndryshëm, deputetëve, zotit Balla e ndjekësve të tij me një gjuhë të ngarkuar.

Duket përfshirja e tyre për të folur për një gjë e cila historia u shkon kundër në këtë patriotizëm.

Nëse Partia Socialiste, zoti Rama dhe zotërinjtë e zonjat e tjera që cicërojnë patriotizëm sot e kanë me kaq zell dhe dashuri të përvëluar çështjen e Kosovës, çështjen e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë, duhet të kishin miratuar rezolutën që Partia Demokratike ka ofruar prej kohësh për njohjen e gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Për mua këtu merr fund diskutimi. Një parti që tërhiqet nga miratimi i rezolutës nuk mund të jetë partia që muaj më vonë tërhiqet apo luan patrioten e madhe.

Sa i përket Begajt, unë nuk mendoj se Ramën apo Partinë Socialiste e shqetëson shumë sesi duket Bajram Begaj, presidenti. Po t’i shqetësonte ata, nuk do ta përdornin ashtu siç e përdorin vazhdimisht.