Ngjarje tronditëse në shtëpinë e Mikael Shumaker, zbardhet akuza për përdhunimin e infermieres së legjendës

Në Nion të Zvicrës, një mik i Mik Shumakerit, djalit të legjendës së Formulës 1, Mikael Shumaker, është vënë në bankën e të akuzuarve me akuzën se ka përdhunuar një infermiere që ishte pjesë e stafit mjekësor në shtëpinë e ish-pilotit, në Gland, pranë liqenit të Gjenevës.

Sipas dokumenteve të gjykatës, ngjarja ka ndodhur natën e 23 nëntorit 2019, në një dhomë gjumi në katin e sipërm të shtëpisë kryesore.

Bazuar në rindërtimin e ngjarjes, i akuzuari, një pilot 30-vjeçar australian që nuk ka garuar kurrë në F1, fillimisht kishte luajtur bilardo me vajzën dhe dy kolegë të saj në rezidencën e Shumakerit.

Më pas, ai dyshohet se e ka shoqëruar atë në dhomën e saj në një gjendje të dukshme të dehur, pas konsumimit të disa koktejeve, dhe më pas ka abuzuar seksualisht me të dy herë.

Familja Shumaker nuk është e përfshirë në këtë proces penal dhe asnjë prej anëtarëve të saj nuk ndodhej në rezidencë kur ndodhi ngjarja e dyshuar.

Viktima ishte pjesë e stafit mjekësor që kujdesej për Mikael Shumakerin.

Fillimisht, nga frika se mos humbiste punën, ajo nuk e raportoi ngjarjen.

Por në vitin 2022, infermierja bëri kallëzim dhe i dorëzoi autoriteteve edhe një shkëmbim mesazhesh me të pandehurin, që sipas saj, vërtetojnë përdhunimin.

I akuzuari, i pyetur nga prokurori në vitin 2024, mohoi akuzat duke deklaruar se kishte pasur një “marrëdhënie konsensuale” me infermieren.