SYRI TV/ Rezoluta për genocidin serb, debate në Parlament, Berisha: Po shkelni mbi gjakun e viktimave
Rezoluta e propozuar nga opozita për gjenocidin serb në Kosovë ka ngjallur debate në Parlament. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se arsyeja kryesore pse kjo mazhorancë ka frikë ta miratojë është fakti se Edi Rama është shërbëtor i Aleksandër Vuçiç. Ndërkohë, Taulant Balla nuk dha një arsye bindëse, por hodhi akuza ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.
SYRI TV
Teksa Edi Rama ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që zhvillohet të premten në Tiranë, në mbështetje të drejtuesve të UÇK-së, opozita ka kërkuar që kjo mbështetje e mazhorancës të nisë me miratimin e rezolutës për gjenocidin serb ,një rezolutë e refuzuar prej disa vitesh nga Partia Socialiste.
Në seancën e së enjtes, kryetari i PD-së, Sali Berisha, argumentoi pse kjo rezolutë është e domosdoshme, duke renditur masakrat serbe në Kosovë.
Sipas kreut të opozitës, mazhoranca nuk pranon ta miratojë këtë rezolutë për shkak të marrëdhënies së ngushtë të Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç.
Për të konfirmuar lidhjen e afërt Rama–Vuçiç, Flamur Noka lexoi në Parlament një mesazh (SMS) që, sipas tij, kryeministri i Shqipërisë i kishte dërguar një mbrojtësi të njohur serb, ku konfirmohej miqësia mes dy liderëve.
Prej disa kohësh, Partia Demokratike ka paraqitur në Parlament një rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë, kërkesë e cila është refuzuar vazhdimisht nga shumica.