VIDEO/ Hoti: Të dëgjojmë zërin e minatorëve, fermerëve, naftëtarëve. Pushteti njeh vetëm klientin dhe oligarkun, jo qytetarin

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, gjatë fjalës së saj në Kuvend, akuzoi qeverinë se po e zhben shtetin dhe po injoron qytetarët që mbajnë vendin në këmbë.

Ajo theksoi se opozita është zëri i atyre që askush nuk i dëgjon, duke përmendur minatorët e Spaçit, naftëtarët dhe fermerët që protestojnë për dinjitet dhe të drejta. Hoti dënoi indiferencën e qeverisë ndaj grevës së urisë së minatorëve, duke e akuzuar atë për arrogancë dhe dhunë në vend të zgjidhjeve.

“Kjo është fytyra e një pushteti që njeh vetëm klientët, kompanitë koncesionare dhe oligarkët,” u shpreh ajo. Deputetja vijoi fjalën duke deklaruar se “minatorët e Spaçit janë Shqipëria e ndershme”.

Hoti:

Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë, të gjithë jemi dëshmitarë të një realiteti ku shohim çdo ditë sesi shteti po zhbehet. Dhe sot më shumë se kurrë, ky Kuvend ka nevojë të dëgjojë realitetin, realitetin e hidhur që e jetojnë sot qytetarët shqiptarë, ata që punojnë, që mbajnë këtë vend në këmbë, por që trajtohen si të padukshëm.

Opozita është këtu për të qenë zëri i atyre që askush nuk i dëgjon, dhe sot zëri që duhet të dëgjojmë është ai i minatorëve të Spaçit, i naftëtarëve, i fermerëve që protestojnë dhe kërkojnë jo privilegje, jo luks, por të drejtën për të jetuar me dinjitet.

Prej 4 ditësh, të nderuar kolegë, minatorët e Spaçit janë në grevë urie, dhe jo për favore politike, por për kontrata, për siguri në punë.

Dhe çfarë bën qeveria? Në vend që të dërgojë zgjidhje, dërgon policinë t’i dhunojë; në vend që t’i dëgjojë, i injoron; në vend që të tregojë përgjegjësi, tregon arrogancë. Kjo është fytyra e një pushteti që nuk njeh qytetarin, por vetëm klientin; nuk njeh minatorin, por vetëm kompaninë koncesionare; nuk njeh punëtorin, por vetëm oligarkun që financon pushtetin.

Në këtë shtet drejtësia ka sy vetëm për të futur në burg një qytetar që s’ka mundësi të paguajë dritat, por për Belinda Ballukun e 50 milionë eurove bëhet e verbër, për Frida Krifcën e 33 milionë eurove nuk sheh asgjë, dhe për Ogerta Manastirliun e tenderave sekretë nuk vepron drejtësia.