Mocioni për IPARD-in/ Bardhi: Babai i Suel Çelës mori paratë e fermerëve shqiptarë. Frida Krifca shpërndane lekë te...

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot në Kuvend se Bashkimi Evropian ka bllokuar fondet që u duhet t’u shkojnë fermerëve shqiptarë, ndërsa akuzoi qeverinë për përvetësim të parave të taksapaguesve shqiptarë dhe evropianë.

Në fjalën e tij Bardhi u drejtua ndaj drejtuesve të seancës dhe tha: “Dilni këtu dhe thjesht shpjegoni se nuk doni të flisni, se Bashkimi Evropian na ka bllokuar fondet, miliona euro që shkojnë për fermerët shqiptarë.” Ai theksoi se, sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe në rajon që ka pësuar bllokimin e këtyre fondeve për shkak të veprimeve të qeverisë.

Bardhi akuzoi më tej se paratë e taksapaguesve janë përvetësuar: “Kjo qeveri këtu ka vendosur të vjedhë jo vetëm paratë e tatimpaguesve shqiptarë por edhe paratë e tatimpaguesve evropianë,” tha ai, duke kërkuar llogari për menaxhimin e fondeve.

Ai solli si rast konkret çështjen e familjes së Suel Çelës, duke thënë se babai i tij ka marrë fonde të dedikuara për fermerët, ndërsa fermerët lokalë nuk i kanë përfituar. Bardhi përmendi pretendimin se një njeri “i shpallur në kërkim”,  ka qenë në krye të përfitimeve që duhet t’u shkonin fermerëve të Elbasanit dhe zonave përreth.

Kryetari i grupit parlamentar tha se kanë dalë në publik informacione mbi shpërndarjen e parave nga fondet e IPARD, dhe akuzoi drejtoreshën e AZHBRS,të cilën e përmendi si të afërt me ministrinë, se ka favorizuar familjarët e saj në shpërndarjen e këtyre fondeve. Sipas Bardhit, në vend që përfitues të ishin fermerët e Divjakës, Lushnjës, Elbasanit e të gjithë Shqipërisë, përfitues ishin vëllai, motra, kusherinjtë, burri dhe kunati i përmendur.

Nga ana e tij Bardhi shtoi se qeveria duhet të japë shpjegime të qarta për bllokimin e fondeve dhe për mënyrën e ndarjes së tyre.

Bardhi:

Dilni këtu dhe thjesht shpjegoni se nuk doni të flisni, se Bashkimi Evropian na ka bllokuar fondet — miliona euro që shkojnë për fermerët shqiptarë.

Jemi i vetmi vend në Europë e në rajon që na janë bllokuar fondet sepse kjo qeveri këtu ka vendosur të vjedhë jo vetëm paratë e tatimpaguesve shqiptarë por edhe paratë e tatimpaguesve evropianë.

Ne do të tregojmë sesi babai i Suel Çelës mori paratë e fermerëve shqiptarë; në vend që një fermer i Elbasanit dhe këtu ka qenë për tërë Elbasanin, e dinë, i merrte 250 mijë euro për të financuar mundin dhe djersën e tij. Nuk i mori fermeri i Elbasanit, i mori babai i Suel Çelës, një njeri i shpallur në kërkim si kreu i një organizate nga më të fuqishmet kriminale në Shqipëri. Dhe sigurisht ju nuk doni që të flasim për këtë çështje.

Janë bërë të dhëna publike sesi drejtoresha juaj e AZHBRS, të cilën Edi Rama më pas e uli në karrigen e ministres së Bujqësisë, shpërndante paratë nga fondet e IPARD për familjarët e vet; në vend që t’i merrnin fermerët e Divjakës, Lushnjës, Elbasanit e gjithë Shqipërisë, jo , i merrte vëllai, motra, kusherinjtë, burri, kunati, Frida Krifca.