Rama luan rolin e shejtan-budallait: Nuk e dija që Specialja do hetonte Thaçin! S'dal në protestë se politizohet (!)
Edi Rama postoi një mesazh në rrjetet sociale si përgjigje për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila e akuzoi për hipokrizi, pasi dikur mbështeste Gjykatën Speciale, ndërsa të premten do të mbështesë protestën kundër kësaj gjykate.
Në reagimin e tij, Rama luan rolin e shejtan-budallait, pasi thotë se nuk e dinte se Gjykata Speciale do godiste Hashim Thaçin.
Më tej, Rama thotë se mbështet protestën, por nuk do dalë aty pasi ajo do politizohesh, çka është një tjetër marrëzi, pasi mbështetja e tij mjafton për ta politizuar atë.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.
Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.
Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama.