Trump po planifikon ndryshime masive për të goditur Sorosin dhe rrjetin e tij

DAILY MAIL

Donald Trump po planifikon një ristrukturim masiv të Shërbimit të Tatimeve (IRS) që do t’i mundësojë atij të godasë donatorë të pasur të Partisë Demokrate, të cilët Shtëpia e Bardhë beson se mund të jenë duke financuar aktivitete politike të dyshimta.

Komisioneri i përkohshëm i IRS-it, Scott Bessent, ka emëruar këshilltarin Gary Shapley për të hartuar një listë kandidatësh që mund të përballen me hetime penale, përfshirë miliarderin dhe financuesin demokrat George Soros.

Trump gjithashtu gëzon bashkëpunimin e Kongresit, ku senatori Ted Cruz ka paraqitur një projektligj për të ndjekur penalisht financuesit e protestave anti-Trump, të quajtura ‘No Kings’, në bazë të Ligjit RICO (ligji kundër organizatave kriminale).

“Ndiq paranë. Ndalo paranë,” tha Cruz për Sean Hannity të mërkurën. “Shihni këtë tubim ‘No Kings’ — ka prova të konsiderueshme që George Soros dhe rrjeti i tij janë pas financimit të këtyre protestave, të cilat mund të shndërrohen në trazira”.

Cruz shtoi se ai “ka paraqitur një projektligj që do t’i lejonte Departamentit të Drejtësisë të përdorë RICO-n për të ndjekur penalisht burimet e financimit të protestave ‘No Kings’.”

Soros dhe djali i tij kanë qenë prej kohësh në qendër të kritikave për shpenzimet e mëdha në favor të demokratëve, dhe George është personi i vetëm që dihet se ndodhet në listën e Shapley-t.

Fondacioni Open Society i Sorosit është financuesi më i madh në botë i kauzave të krahut të majtë.

Fondi për Reformë Politike — që drejtohet kryesisht nga djali i tij, Alex — dhuroi 60 milionë dollarë për demokratët në vitin 2024, duke qenë donatori i 12-të më i madh në përgjithësi dhe i dyti ndër dhuruesit ekskluzivisht liberalë.

Më herët, Trump i kishte kërkuar Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, që të përdorte ligjin RICO ndaj Sorosit dhe protestuesve që kishin brohoritur kundër tij në një restorant në Uashington DC, në shtator.

“Duhet t’i fusin në burg,” tha ai, sipas CNN.

Ligji RICO, që fillimisht është përdorur kryesisht për të goditur mafien, përfshin gjithashtu dispozita kundër trazirave, gjë që i jep Trump hapësirë ligjore për të vepruar kundër demonstruesve — përfshirë edhe marshimet ‘No Kings’ të kësaj fundjave.

Trump i ka kërkuar Bessentt të identifikojë financierët që po nxisin dhunë politike për t’i hetuar.

Së fundmi, gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ku u diskutua puna e Bessent, Trump tha:

“Scott do ta bëjë atë. Është punë e lehtë për Scott-in.”

Presidenti më herët kishte shkruar se 95-vjeçari George Soros dhe djali i tij, Alex, duhet të akuzohen sipas ligjit RICO, që synon krimin e organizuar.

Ai ka kritikuar gjithashtu miliarderët liberalë dhe ish-kandidatët presidencialë demokratë Tom Steyer dhe Michael Bloomberg.

Kur u kontaktua nga ‘Wall Street Journal’, Shapley nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me shënjestrimin e mundshëm të donatorëve.

“Jam mirënjohës që vazhdoj rolin tim në reformimin e IRS-it,” tha Shapley.

“Fokusi i ekipit mbetet te arkëtimet, privatësia dhe shërbimi ndaj klientit,” shtoi zëdhënësi i Departamentit të Thesarit, duke folur për punësimet e Bessent-it.

Fondacioni ‘Open Society’ i Soros-it ka mohuar çdo shkelje ligjore dhe ka dënuar dhunën.

Në gusht, Trump shkarkoi komisionerin e IRS-it, Billy Long, pas vetëm dy muajsh në detyrë, dhe e zëvendësoi përkohësisht me Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent.