Peshku më i shëndetshëm në botë, salmoni i rrëzuar nga froni
Peshku më i shëndetshëm në botë nuk është salmoni, por karpi i argjendtë
Adhuruesit e ushqimeve të detit kanë arsye për entuziazëm, pasi një studim i ri ka zbuluar një kampion të ri të vlerave ushqyese. Ndërsa për shumëkënd salmoni konsiderohej “mbreti” i ushqimeve të detit, një peshk tjetër e ka rrëzuar nga froni, raporton Net.hr.
Sipas renditjes së ushqimeve më ushqyese në botë të publikuar nga BBC, karpi i argjendtë është shpallur superushqimi përfundimtar, duke marrë 89 nga 100 pikë në shkallën e vlerës ushqyese. Ky peshk tejkalon rivalët e tij më të njohur, si salmoni apo toni, falë përmbajtjes së lartë proteinike dhe sasisë minimale të yndyrnave të ngopura.
Karpi i argjendtë përmban rreth 20 gramë proteina për çdo 100 gramë porcion dhe vetëm 79 kalori, duke e bërë një zgjedhje ideale për një dietë të balancuar. Përveç kësaj, ai është i pasur me lëndë ushqyese që ndihmojnë në ruajtjen e energjisë dhe shëndetit të muskujve.
Megjithëse salmoni mbetet në listën e ushqimeve të vlefshme për shkak të acideve yndyrore omega-3, karpi i argjendtë po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet si peshku më i shëndetshëm në botë.