Media vs ushtria amerikane/ Gazetarët humbasin aksesin në Pentagon

Dhjetëra media ndërkombëtare dhe amerikane kanë humbur aksesin në Pentagon, pasi refuzuan të nënshkruajnë një seri rregullash të reja që kufizojnë ndjeshëm raportimet e tyre mbi ushtrinë amerikane.

Pentagoni kishte vendosur një afat deri të mërkurën pasdite, 15 tetor, për gazetarët që të pranonin një dokument me 21 faqe për të marrë leje dhe kredenciale për hyrje në ambientet e departamentit.

Më shumë se 30 redaksi refuzuan, përfshirë The Associated Press, Bloomberg, Politico, The Atlantic, The Guardian, The New York Times, The Wall Street Journal, The Washington Post, Reuters, CNN, si dhe media konservatore si Fox News dhe Newsmax, të preferuara nga Presidenti Donald Trump.

Shoqata e Shtypit të Pentagonit, që përfaqëson mbi 100 media, tha se Departamenti i Mbrojtjes kishte filluar konfiskimin e badge-ve të mediave “pothuajse nga çdo organizatë gazetarie në Amerikë”.

Sipas tyre, ky veprim erdhi për shkak se rregullat e reja përmbanin kërcënime të fshehta për kriminalizimin e raportimit mbi sigurinë kombëtare dhe rrezikonin gazetarët me ndjekje ligjore.

Megjithatë, mediat e përfshira kanë deklaruar se do të vazhdojnë të raportojnë mbi aktivitetet e Pentagonit, edhe pa akses të drejtpërdrejtë në ndërtesë.

Rregullat e reja të Pentagonit kufizojnë lëvizjen e gazetarëve brenda ndërtesës, ndërveprimin me stafin dhe sigurimin e informacioneve nga burimet.