Raport i Komisionit Evropian: Portugalia me çmimet më të larta të shtëpive në BE, ja shkaqet
Një raport i ri i Komisionit Evropian tregon se Portugalia renditet ndër vendet me çmimet më të larta të shtëpive në Bashkimin Evropian, me një mbivlerësim prej rreth 35%. Sipas raportit, turizmi dhe rritja e qirave afatshkurtra, të nxitura nga platformat si Airbnb, kanë ndikuar ndjeshëm në përshkallëzimin e kostos së banesave. Në dekadën e fundit, çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 50%, ndërsa në Portugali dhe disa vende të tjera si Hungaria e Lituania, rritja ka kaluar 200%.
Raporti thekson se mungesa e ndërtimeve të reja, burokracia e gjatë në dhënien e lejeve dhe përqindja shumë e ulët e banesave publike kanë përkeqësuar krizën e strehimit në vend. Ndërkohë, investimet nga fondet e pensioneve dhe kompanitë e sigurimeve kanë rritur kërkesën dhe çmimet në qytetet e mëdha si Lisbona e Porto.
Komisioni Evropian paralajmëron se Portugalia është vendi ku turizmi ka pasur ndikimin më të madh në çmimet e shtëpive, duke reduktuar ndjeshëm ofertën për qira afatgjata. Qeveria portugeze po përpiqet ta zbusë krizën me masa fiskale të reja, përfshirë uljen e TVSH-së në ndërtim dhe subvencionet për qiratë deri në 2,300 euro.
Megjithatë, Brukseli kritikon autoritetet portugeze për mungesë efektiviteti dhe kërkon masa më të forta, si kontrolli i qirave dhe kufizimi i qirave turistike, për të frenuar krizën që po godet mijëra familje në vend.