Ndryshimi i klimës në Arktik: Si shkrirja e akullit po shkakton 'tkurrjen' e Grenlandës

Ndryshimet parahistorike dhe përshpejtimi i ngrohjes globale po e “tkurrin” Groenlandën dhe po shkaktojnë zhvendosjen e saj, paralajmëron një studim i ri i publikuar nga DTU Space në Journal of Geophysical Research: Solid Earth. Sipas studimit, territori danez po “shtrembërohet, kompresohet dhe shtrihet” për shkak të lëvizjeve tektonike dhe shkrirjes së shtresave të mëdha të akullit, që kanë reduktuar presionin në nëntokën e ishullit.

Studiuesit zbuluan se Groenlanda është zhvendosur në drejtim të veriperëndimit me rreth 2 centimetra në vit gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa njëkohësisht po ndryshon përmasat horizontale — disa zona po zgjaten dhe të tjera po bashkohen. “Në përgjithësi, Groenlanda po bëhet më e vogël, por kjo mund të ndryshojë me shkrirjen e përshpejtuar që po shohim tani”, tha autori kryesor i studimit, Danjal Longfors Berg.

Në vitin 2024, Shtresa e Akullit të Groenlandës humbi 55 + 35 gigatonë masë, duke shënuar vitin e 28-të radhazi ku ishulli ka humbur më shumë akull sesa ka fituar. Kjo prirje përbën një kërcënim serioz për rritjen e nivelit të detit, pasi Groenlanda përmban ujë të mjaftueshëm për të shkaktuar një rritje globale prej 7.4 metrash.

Sipas programit Koperniku, çdo centimetër rritje e nivelit të detit rrezikon jetesën e rreth gjashtë milionë njerëzve në të gjithë botën. Studiuesit theksojnë se përveç ndryshimeve moderne, edhe proceset që kanë nisur që nga fundi i Epokës së fundit të Akullit, rreth 20 mijë vjet më parë, vazhdojnë të ndikojnë në strukturën e shkëmbinjve themelorë të Groenlandës.