SYRI TV/ Plug investigon 'beun' e Poliçanit, milioneri Adriatik Zotkaj, i dënuar 5 herë
Emisioni investigativ Plug ka zbardhur një tjetër skemë të dyshuar korruptive, këtë herë nga kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Ky i fundit hyri për herë të parë në Bashkinë e Poliçanit 22 vjet më parë, ku deklaronte zero pasuri. Ndërsa sot, Adriatik Zotkaj jo vetëm që e ka kthyer bashkinë në një çerdhe punësimesh nepotike, por duket se ka shfrytëzuar pushtetin për t’u pasuruar. Ai dhe fëmijët e tij deklarojnë pasuri me vlerë miliona euro, duke përfshirë kompani ndërtimi që përfitojnë tendera publikë, bujtina dhe një fabrikë uji të ndërtuar mbi tokë të dyshimtë, si dhe përfitime të dyshuara që janë siguruar në konflikt interesi.
Ndaj Adriatik Zotkajt ka pasur denoncime dhe hetime konkrete për pasurinë, por ai gjithmonë ia ka hedhur paq, ndërsa pas çdo hetimi ka vijuar të pasurohet.
Emisioni Plug ka zbuluar se Adriatik Zotkaj e ka kthyer Bashkinë e Poliçanit në një çerdhe punësimi për familjarët dhe miqtë e tij. Në sektorë kyç të kësaj bashkie janë punësuar së paku 13 familjarë apo persona nga rrethi i ngushtë i Zotkajt, duke përfshirë djalin, vëllain, nusen e djalit dhe familjarë të saj. Jo vetëm kaq, por babait të nuses së djalit, krushkut Ylli Kondi, Adriatik Zotkaj i ka dhënë në përdorim një pronë publike prej rreth 14 mijë metrash katrorë.
Maliq Zotkaj, i biri i kryebashkiakut të Poliçanit, jo vetëm që ka qenë i punësuar në bashkinë e drejtuar nga i ati, por pas vitit 2022 ka krijuar një kompani ndërtimi së bashku me shokun e tij Oligert Dyrmishi, i cili gjithashtu ka punuar në bashki. Përmes kësaj kompanie, Maliq Zotkaj ka përfituar qindra mijëra euro në tendera publikë, duke deklaruar në një kohë të shkurtër fitime të konsiderueshme.
Ndërkohë që kolegët e babait japin tendera me shkelje, duket se Adriatik Zotkaj nuk është kursyer as vetë për të firmosur pagesa publike në favor të fëmijëve dhe familjarëve të tij. Të dhënat e siguruara nga Dega e Thesarit tregojnë se, nga shtatori 2019 deri në dhjetor 2021, Endi Zotkaj, që zotëronte një biznes farmacish, ka përfituar 20 pagesa nga Qendra Polivalente e Poliçanit, Bashkia e Poliçanit dhe Bashkia e Çorovodës. Vlerat e pagesave variojnë, por ato kulmojnë me procedurën urgjente të Bashkisë së Poliçanit, katër ditë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës nga COVID-i në vitin 2020, kur për doreza, maska dhe dezinfektantë, Adriatik Zotkaj i pagoi të birit, Endi Zotkaj, plot 14 milionë lekë të vjetra nga fondet publike.
Në vitin 2003, Adriatik Zotkaj hyri në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Poliçanit. Në deklarimin e parë të pasurisë, ai raportonte vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes, e cila ishte mësuese. Katër vite me radhë, dokumentet mbetën bosh: asnjë pronë, asnjë aset, vetëm të ardhura modeste nga paga. Por pas kësaj qetësie të dukshme, do të niste një histori krejt tjetër: nga dy paga modeste, sot Zotkaj rezulton milioner, me biznese, pasuri të pafundme dhe mjete luksoze.
Kjo pasuri tërhoqi edhe vëmendjen e institucioneve kontrolluese si ILDKP apo Prokuroria, por çuditërisht, në fund, gjithçka përfundoi në mënyrë enigmatike. Në vitin 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave publikoi njoftimin se kërkonte hetimin dhe ndjekjen penale të kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Maliq Zotkaj.
Nga hetimi u zbuluan disa pasuri të fshehura, përfshirë truall të regjistruar në emër të kompanisë “Perla e Tomorit”, kredi bankare të padeklaruara, të ardhura nga një kontratë qiraje me kompaninë “Vodafone Albania”, si dhe një deklarim të rremë se ishte larguar si administrator i kompanisë ABG, ndërkohë që nuk kishte deklaruar shitjen e 65% të aksioneve.
Kallëzimi i ILDKP-së u mbyll nga Prokuroria e Beratit, ndërsa Adriatik Zotkaj, pas vitit 2015, vijoi të shtojë edhe më tej pasuritë e tij, në biznese ndërtimi, agroturizëm apo kompani që përfitojnë fonde publike.