SYRI TV/ Debate të forta në Konferencën e Kryetarëve, nuk ka dakordësi për ‘Zgjedhoren’ dhe ‘Territorialen’
SYRI TV
Mbledhja e Konferencës së kryetarëve ka degraduar në sherr dhe ofendime mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se ka uzurpuar seancat parlamentare me forcën e kartonit për ti mbyllur gojën opozitës, çka sjellë edhe përplasje. Mes palëve nuk pati as dakordësi për ngritjen e komisioneve për Reformën territoriale dhe atë zgjedhore, ku PS ka tentuar thyerjen e traditës së konsensusit për përbërjen e anëtarëve.
Konferenca e kryetareve u mblodh këtë të martë për projekt vendimet e ngritjes së dy komisioneve të posaçme, atë të reformës zgjedhore dhe territoriale. Mazhoranca dhe opozita jo vetëm që nuk arritën një dakordësi por u përfshinë në debate të forta në mbledhjen e dyer të mbyllura, të cilat arritën deri në akuza e ofendime banale. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant balla, humbi kontrollin duke shpërthyer në fjalor jashtë etike, pasi kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi e akuzoi për lidhje me krimin.
Bardhi: Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e Rregullores dhe e Kushtetutës. Nuk mund të mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin. Seanca e datës 9 tetor është mbyllur në mënyrë të njëanshme. Në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë!
Bardhi - Ballës: Ke komunikime me Suel Çelën.
Balla: Ik ore p.rdhu.
Bardhi: Pirdhu ti, i paedukatë. Ke fjalor rruge. Ça je ti mo, kush je ti? Ti je zar i Suel Çelës e na jep ne leksione etike. Ti do shkosh në burg, do shkosh në burg!
Tensionet mes palëve nuk u shuan as për të arritur një vendim marrje lidhur me ngritjen e komisioneve të posaçme. Partia socialiste do të miratojë ngritjen e komisioneve në seancë plenare, ndërsa synon që në radhët e anëtarëve të opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore të përfshijë edhe përfaqësues nga partia e Tom Doshit, megjithëse këta të fundit, gjithmonë janë rreshtuar në krah të mazhorancës.
Ndërsa Partia Demokratike, kërkon që komisioni I reformës zgjedhore të ngrihet pasi të ketë dalë raporti përfundimtar i OSBE - ODIHR, të respektohet barazia e opozitës dhe shumicës ne nivel vendimmarrës edhe në komisionin e posaçëm të reformës territoriale, ku Partia Socialiste kërkon të ketë mazhorancën dhe mos të drejtojë me bashkëkryetarë.
Partia Demokratike ka kërkuar edhe angazhimin e ekspertëve të huaj, të OSBE –ODIHR dhe komisionit të Venecias, në komisionet e posaçmet për dy reformat.