Elyaz Zidane shkëlqen në Kupën e Botës U-20: Është e vështirë të jesh djali i Zizou

Elyaz Zidane, djali i legjendës franceze Zinedine Zidane, është një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës për U-20, që po zhvillohet aktualisht në Kili. Qendërmbrojtësi, i lindur në Marsejë në vitin 2005, është bërë një shtyllë e fortë për Francën e drejtuar nga Bernard Diomède, duke regjistruar 435 minuta në pesë ndeshje, më shumë se çdo lojtar tjetër në skuadër. Kjo shifër mund të rritet nëse “Les Bleus” sigurojnë kualifikimin për finalen e së dielës, më 19 tetor, pas gjysmëfinales së sotme kundër Marokut.

Turneu nuk nisi në mënyrën më të mirë për të: në ndeshjen hapëse ndaj Japonisë, Elyaz shkaktoi një penallti. Megjithatë, trajneri Diomède i qëndroi besnik, duke i dhënë vazhdimisht besim dhe minuta loje. Rezultati? Elyaz është kthyer në një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes franceze.

“Si lojtar që kam luajtur me këmbën e majtë, e njoh menjëherë cilësinë e dikujt që luan në të njëjtën mënyrë,” – tha Diomède për L’Équipe. – “Elyaz ka një finesë të jashtëzakonshme teknike dhe një fizik imponues. Duhet vetëm të ketë qetësi. Është e vështirë të jesh djali i Zidane, vëmendja është e madhe, por ai ka çdo cilësi për të arritur nivelin më të lartë.”

Edhe pse është bërë titullar te përfaqësuesja franceze, Elyaz ende nuk ka fituar vendin e tij të përhershëm te Deportivo, ku ka luajtur vetëm 180 minuta deri tani. Megjithatë, kjo Kupë Bote mund të jetë momenti i tij i madh: një tjetër paraqitje e shkëlqyer kundër Marokut mund ta katapultojë drejt famës që i takon emrit që mban.