Flet futbollisti i Barcelonës: Lamine Yamal, talenti më i madh pas Messit

Mbrojtësi spanjoll Eric Garcia ka vlerësuar në mënyrë të veçantë ‘yllin’ e ri të Barcelonës, Lamine Yamal, duke e cilësuar si një futbollist me cilësi që i kujtojnë Lionel Messin, megjithëse theksoi se “një tjetër Messi nuk do të ketë kurrë”.

Në një intervistë të dhënë sot, Garcia pranoi se është shumë e vështirë ta ndalosh Yamal-in gjatë stërvitjeve, për shkak të talentit dhe cilësive të tij të jashtëzakonshme. Ai u shpreh se 18-vjeçari i Barcelonës “është i paparashikueshëm, krijon rrezik në çdo prekje topi dhe mund të ndryshojë fatin e ndeshjes në çdo moment”.

“Ka talent, ka cilësi... Natyrisht, ekziston Messi dhe pastaj ai. Mendoj se ka shumë ngjashmëri në mënyrën se si merr vendime dhe si e lexon lojën, por nuk do të them se është si Messi, sepse në fund të fundit, ekziston vetëm një Messi,” – deklaroi Garcia.

Sipas mbrojtësit të kombëtares spanjolle, zhvillimi i Yamal-it është vendimtar për të ardhmen e Barcelonës, sidomos në një periudhë ku kundërshtarët janë gjithnjë e më të përgatitur ndaj lojës së ekipit katalanas.

Yamal, që tashmë është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Barcelonës pavarësisht moshës së re, po shihet si simboli i brezit të ri që do të mbajë flamurin ‘blaugrana’ në vitet e ardhshme.