VIDEO/ Tubim i madh në Shën Petërburg, të rinjtë rusë kërkojnë rrëzimin e Vladimir Putinit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Shën Petersburg më 13 tetor, ku qindra qytetarë rusë u mblodhën në sheshin Kazanskaya për të kënduar këngë kundër luftës dhe për të kërkuar rrëzimin e presidentit Vladimir Putin.
Turma u bashkua me muzikantë rrugësh duke kënduar këngën e ndaluar ‘Co-operative Swan Lake’ të reperit pro-ukrainas Noize MC, i cili është arratisur në Lituani pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.
Në tekstet e këngës përfshihen mesazhe të hapura kundër Putinit, si:
‘Kur cari të vdesë, do të kërcejmë sërish. Plaku në bunker ende kujton vitin 1985.’
Kënga është bërë himn proteste për të rinjtë rusë kundër regjimit autoritar dhe luftës në Ukrainë.
Policia ruse arrestoi Diana Loginova, 18-vjeçaren që udhëhoqi këndimin e këngës. Ajo do të akuzohet për organizimin e një tubimi të paligjshëm. Nëna e saj deklaroi se vajza nuk ka qëllime politike dhe thjesht performon këngë që pëlqehen nga publiku.
Ndërkohë, pasojat ekonomike të luftës po prekin gjithnjë e më shumë qytetarët rusë. Një sulm me dron ukrainas shkatërroi këtë javë një terminal të madh nafte në Feodosia, në Krimenë e pushtuar, me kapacitet 250 mijë ton. Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë për të dobësuar financimin e luftës së Putinit, duke shkaktuar rritje rekord të çmimeve të karburantit dhe mungesa në mbarë vendin.
Sipas gjeneralit ukrainas Oleksandr Syrskyi, forcat e tij kanë paralizuar 21% të kapaciteteve të përpunimit të naftës në Rusi.
Në planin ndërkombëtar, Kievi po kërkon raketa me rreze të gjatë veprimi, përfshirë Tomahawk-ët amerikanë, që do t’i mundësonin Ukrainës të godasë objektiva në thellësi të territorit rus, përfshirë edhe Moskën.
Presidenti amerikan Donald Trump, në një paralajmërim të ashpër ndaj Kremlinit, tha se mund të miratojë dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë nëse Rusia nuk i jep fund luftës. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi në selinë e NATO-s se SHBA është ‘gati të veprojë në mënyra që vetëm ajo mund ta bëjë’ nëse Moska nuk tërhiqet.
Nga ana tjetër, Putin e minimizoi kërcënimin, duke thënë se Tomahawk-ët ‘nuk do ta ndryshojnë situatën në fushëbetejë’, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi çështjen si ‘shqetësim ekstrem’ për Rusinë.
Ngjarja në Shën Petersburg konsiderohet një nga aktet më të guximshme të kundërshtimit publik ndaj Putinit që nga fillimi i luftës në Ukrainë.