‘Korrupsioni nga maja e shtetit’/ Bardhi-Begajt: Yt bir paguhet nga kompania me të cilën Presidenca bën prokurimet
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është kundërpërgjigjur me fakte, Presidentit të Republikës, Bajram Begaj pas replikave publike, lidhur me shkeljet kushtetuese që sipas PD, ka bërë kreu i shtetit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gazment Bardhi shkruan se Begaj si gjithmonë foli, pa thënë asgjë.
Duke publikuar dokumente zyrtare, që sipas Bardhit tregojnë shifrat me të cilat paguhet djali i Presidentit Bajram Begaj nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit.
‘Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit’, shkruan Bardhi në reagimin e tij përmbyllës në rrjetet sociale.
Statusi
Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë!
Çfarë e pengoi “Doktorin e Mrekullive”, njëherazi Presidenti, të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!
Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit. Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.
Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit.