Akuzohet për përdhunim të një infermiereje në shtëpinë e Michael Schumacher-it, nis gjyqi ndaj mikut të djalit të legjendës

Në qytetin Nyon të Zvicrës ka nisur sot procesi gjyqësor ndaj një personi të afërt me shtatë herë kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher. I akuzuari është një pilot australian, që nuk ka arritur kurrë të garojë në Formula 1 dhe që sipas hetimeve ishte mik i ngushtë i Mick Schumacher, djali i ish-kampionit gjerman.

Ngjarja daton në natën e 23 nëntorit 2019, në rezidencën e familjes Schumacher në Gland, pranë liqenit të Gjenevës. Sipas akuzës, piloti australian dyshohet se ka kryer dhunë seksuale ndaj një infermiereje që punonte në atë kohë si pjesë e stafit mjekësor të familjes, duke u kujdesur për Michael-in pas aksidentit të rëndë me ski në vitin 2013 në Meribel, Francë.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, mbrëmjen e ngjarjes i akuzuari ndodhej në vilën e Schumacher-it bashkë me dy persona të tjerë, kolegë të infermieres. Ata po luanin bilardo, ndërsa më pas u bashkua edhe ajo. Pas konsumimit të pijeve alkoolike, gruaja është ndier keq dhe është ndihmuar të shkojë në dhomën e gjumit për t’u qetësuar.

Më vonë, sipas dëshmisë së viktimës dhe provave të mbledhura, i akuzuari është kthyer në dhomë dhe e ka dhunuar seksualisht dy herë, në një gjendje ku ajo ishte e dehur dhe e paaftë për t’u mbrojtur.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik zviceran dhe botën e sportit, për shkak të lidhjes së të akuzuarit me familjen Schumacher, e cila prej më shumë se një dekade ruan privatësinë absolute rreth gjendjes shëndetësore të kampionit legjendar. Procesi pritet të zgjasë disa javë, ndërsa gjykata e Nyon do të vendosë mbi fatin e të pandehurit pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të provave.