Kupa e Shqipërisë/ Përballje interesante dhe duele të forta mes ekipeve të Kategorisë së Parë në turin e dytë
Pas ndeshjeve të zhvilluara sot, është plotësuar edhe tabloja e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ku 16 skuadra do të garojnë për të siguruar kalimin në fazën pasuese të turneut. Skema e paracaktuar në fillim të sezonit ka prodhuar duele mjaft interesante, veçanërisht mes ekipeve të Kategorisë së Parë, që pritet të dhurojnë përballje të zjarrta.
Skuadrat e Superiores që morën pjesë në këtë fazë, siç pritej, kanë kaluar pa vështirësi. Vora do të sfidojë Sopotin, skuadër që befasoi me eliminimin e Erzenit, ndërsa Flamurtari do të përballet me Tomorin, që u kualifikua pa luajtur për shkak të tërheqjes së Valbonës.
Pjesa tjetër e çiftimeve sjell përballje mes ekipeve me ambicie të mëdha në Kategorinë e Parë, që kërkojnë të ecin sa më larg në këtë edicion të Kupës. Në turin e tretë, garës do t’i bashkohen edhe skuadrat e mbetura të Superiores, çka pritet ta bëjë edhe më emocionuese këtë kompeticion.
Çiftet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë:
Skënderbeu – Iliria
Vora – Sopoti
Besa – Kukësi
Pogradeci – Korabi
Laçi – Luftëtari
Flamurtari – Tomori
Burreli – Kastrioti
Apolonia – Lushnja