'Skandal Kushtetues', Gjokutaj: Begaj rrëmbeu kompetencat e GJK, sulm politik ndaj gjyqtares Bejtja që s’i bindet Ramës!

I ftuar në edicionin e lajmeve të mesditës në Syri TV ka qenë avokati i njohur Genc Gjokutaj.

Në një bisedë me moderatorin Edvin Parruca, Gjokutaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me dekretimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, duke akuzuar Presidentin e Republikës për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe për ndërhyrje të paprecedent në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, vetëm ankimimi brenda afatit ligjor i vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt, pezullon automatikisht çdo procedurë të mëtejshme, përfshirë zëvendësimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Presidenti, sipas Gjokutajt, nuk ka asnjë të drejtë të vendosë nëse një vendim është i pezulluar apo jo, pasi këtë kompetencë e ka vetëm Gjykata Kushtetuese.

Duke e cilësuar situatën si një “sulm frontal ndaj Kushtetutës dhe GJK-së”, Gjokutaj u ndal edhe te rasti i anëtares së Gjykatës Kushtetuese, zonjës Bejtja, duke thënë se sulmet ndaj saj nuk janë ligjore, por politike. Sipas tij, zonja Bejtja po goditet sepse ka qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe jo në shërbim të porosive politike të Edi Ramës, ndërsa Presidenti po përpiqet të ndërhyjë edhe në mandatin e saj, duke rrezikuar integritetin e të gjithë trupës gjykuese.

Pjesë nga deklarata:

Kushtetuta është e shprehur qartë dhe ligji në germë, në nen dhe në shkronjë. Thuhet që, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, pavarësisht nga natyra e tij, nëse personi i shkarkuar që në rastin konkret është zoti Erion Veliaj brenda 15 ditësh bën ankimimin, atëherë automatikisht pezullohet. Pezullohet zëvendësimi, zgjedhjet. Ky ankim pezullon gjithçka që lidhet me objektin e këtij gjykimi. Objekti i këtij gjykimi është: a do të jetë Veliaj në pozicionin e kryetarit të bashkisë, apo do të konsiderohet i shkarkuar sipas VKM-së? Është ankimuar vetë VKM-ja, dhe automatikisht ligji e pezullon.

Këtu ka ndodhur një skandal pastaj. Një skandal që unë nuk e di... sepse, sigurisht, në rastet kur ka debat mbi një pikë, të shkon mendja që mund të ketë një zgjidhje. Por në rastin konkret, ligji e ka parashikuar vetë ligjvënësi ka parashikuar pezullimin. Nuk ia ka lënë një trupe gjykuese apo një institucioni, siç është institucioni i Presidentit të Republikës, që me rastin e dekretimit të vendosë nëse duhet pezulluar apo jo. Dhe presidenti, me shkelje të rëndë të Kushtetutës, ka bërë një dekret ku cakton datën e zgjedhjeve, ndërkohë që zgjedhjet ligji kushtetues i ka pezulluar, dhe në raste pezullimi konsiderohet se është ngrirë edhe vetë shkarkimi i vendimit të Këshillit të Ministrave. Kjo e lë situatën pezull.

Nuk kemi më vakancë të kryetarit të bashkisë dhe, në këtë moment, do të pritet domosdoshmërisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nga i cili do të derivojë dekretimi i zgjedhjeve. Në rast se GJK rrëzon vendimin e Këshillit të Ministrave, Veliaj quhet i rikthyer në detyrën e kryetarit të bashkisë. Pastaj, ose do të nisë një procedurë e re shkarkimi, ose do të pritet një vendim i formës së prerë për fajësinë nga gjykata, ose do të pritet mbarimi i mandatit të tij.

Prandaj quhet shkelje e rëndë, sepse Presidenti nuk ka bërë interpretim të ligjit, por shkelje të ligjit. Dhe vula i është vënë me interpretimin që ka bërë Presidenti. Ai ka marrë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese dhe ka caktuar edhe vetë kompetencën. Pra, thotë: “Jo vetëm që unë caktoj datën e zgjedhjeve, por e caktoj sepse çështja nuk është për GJK, por për atë administrative.”

Ky President do të hyjë në historinë e presidentëve të Shqipërisë si personi që e ka sulmuar Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese në formë dhe në përmbajtje. Të kërkosh që GJK të shprehet për mandatet e veta, nuk mund të bëhet nga vetë kjo gjykatë, sepse bie ndesh me frymën e Kushtetutës. Atij nuk i lind e drejta t’i kërkojë GJK-së që: “Mblidhuni ju dhe gjykoni mandatet tuaja.” Ai ka ndërhyrë brutalisht në pavarësinë e kësaj gjykate. Në tejkalim të kompetencave të tij, ka marrë përgjegjësi që nuk i takojnë. Ai ka goditur GJK-në, anëtaren e saj, duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës së të gjithë anëtarëve të GJK-së.

Ky është një sulm frontal ndaj Kushtetutës dhe ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ai ka injoruar edhe precedentët e GJK-së dhe kërkon të rrëmbejë mandate. Është shumë e rëndë të sulmosh gjyqtarin kushtetues në ushtrimin e detyrës dhe për ironi të fatit, duke qenë edhe relator i kësaj çështjeje.

Por, sigurisht, raporti me zonjën Bejtja është politik. Duan t’i marrin mandatin, sepse zonja Bejtja është një nga gjyqtaret qëndrestare në mbrojtje të Kushtetutës dhe jo porosive të Edi Ramës.