'Nuk më është lejuar ta shoh për 10 vite'/ Kastro Zizo rrëfehen: Vajza ime është në spektrin autik, u rrit në kushte të tmerrshme

Këngëtari i njohur shqiptar, Kastro Zizo, ka bërë një rrëfim të ndjerë dhe tronditës në një intervistë për Top Albania Radio, ku ka folur për marrëdhënien me vajzën e tij dhe vuajtjet që ka përjetuar ndër vite.

Artisti zbuloi se për më shumë se 10 vjet i është ndaluar çdo kontakt me të bijën, dhe vetëm kohët e fundit ka mësuar se ajo vuan nga spektri autik.
“Vajza nuk është si fëmijët e tjerë. Është në spektrin autik. Vjen si pasojë e një historiku të gjatë, pak të errët, ku ka jetuar, te nëna e saj,” – është shprehur Kastro me dhimbje.

Ai rrëfeu se vajza e tij është rritur në kushte që i cilëson si ‘të tmerrshme’, ndërsa tani ndodhet në një proces ligjor për të rregulluar marrëdhënien me të.
“Unë mund të flas me orë të tëra për të… Në një moment kur nuk të është lejuar të shohësh vajzën për 10 vite, mëson se është autike. Mua më është ndërprerë çdo kontakt. Mesa duket kanë menduar se nuk isha i denjë, por në fakt nuk kanë ditur të rrisin një fëmijë,” – u shpreh këngëtari.

Kastro tregon gjithashtu se, pas informacioneve të marra nga shërbimet sociale, ka udhëtuar vetë drejt Prishtinës për të mësuar më shumë mbi gjendjen e vajzës.
“Vajza është marrë nga unë në kushte të tmerrshme. Shkova në Prishtinë, u lajmërova nga shërbimet sociale, jetonte me të ëmën,” – tha ai.

Artisti thekson se kjo nuk është vetëm një betejë ligjore, por një përballje me padrejtësinë dhe një përpjekje për të rikthyer lidhjen më të shenjtë që ka një prind – dashurinë për fëmijën e tij.