Islanda do të 'propozojë' taksë më të lartë turistike pas numrit rekord të vizitorëve
Islanda ka regjistruar një numër rekord të turistëve të huaj këtë vit, pavarësisht sfidave ekonomike dhe natyrore që ka përballuar së fundmi.
Sipas të dhënave të Statistikave të Islandës, numri i vizitorëve ndërkombëtarë është rritur me 2.2 për qind nga viti 2023 në 2024, ndërsa gjatë 12 muajve deri në shtator 2025 është shënuar një rritje shtesë prej 3.5 për qind.
Nga janari deri në gusht 2025, vendi ka mirëpritur 1.792 milionë turistë, një rritje nga 1.743 milionë në 2024 dhe dukshëm më e lartë se 1.597 milionë në 2019, përpara pandemisë.
Edhe numri i dhomave të rezervuara në hotele dhe bujtina ka arritur nivelet më të larta ndonjëherë, ndërsa të ardhurat nga sektori i turizmit janë rritur ndjeshëm që nga viti 2023.
Ky bum turistik ka ndodhur pavarësisht disa pengesave, si mbyllja e linjës ajrore me kosto të ulët Play dhe shpërthimi vullkanik në çarjen Sundhnúksgígar.
Çfarë e bën Islandën kaq tërheqëse?
Sipas Jóhann Viðar Ívarsson, analist në Bordin e Turizmit Islandez (Ferðamálastofa), rritja e turizmit është pjesë e një trendi global, por në rastin e Islandës, ajo është “dukshëm më e lartë se mesatarja ndërkombëtare”.
“Natyra e paprekur dhe mjediset rurale janë elementë që e dallojnë Islandën nga çdo destinacion tjetër – ofrojnë diçka unike dhe autentike për udhëtarët,” shpjegon Ívarsson për Euronews Travel.
Ai shton se rritja e popullaritetit të Islandës në mediat sociale dhe fakti që është bërë “në modë” për udhëtarët me të ardhura të larta ta vizitojnë, kanë ndikuar ndjeshëm në këtë bum.
Zgjerimi i aeroportit dhe infrastruktura e re
Për t’u përgatitur për rritjen e mëtejshme të fluksit turistik, aeroporti ndërkombëtar KEF është në proces zgjerimi dhe modernizimi.
Plani përfshin ndërtimin e një hoteli të ri me 4 yje, rrugë të mbuluara për këmbësorë, kryqëzime të reja dhe përmirësime për biçikleta, autobusë dhe taksi.
Taksat turistike dhe qëndrueshmëria
Që prej 1 janarit 2024, Islanda ka rivendosur taksën e akomodimit për të zbutur ndikimin mjedisor të turizmit.
• Hotelet dhe shtëpitë e mysafirëve: 600 ISK (rreth 4.24 €) për dhomë
• Kampingjet dhe shtëpitë e lëvizshme: gjysma e kësaj shume
• Pasagjerët e kroçerave: 1,000 ISK (rreth 7.06 €) për ndalesë në portet islandeze
Megjithatë, Ívarsson thekson se këto tarifa nuk sjellin të ardhura të mëdha në buxhetin e shtetit dhe lidhja e tyre me qëndrueshmërinë është ende e paqartë. Qeveria po shqyrton një taksë më të lartë turistike që pritet të propozohet në javët e ardhshme.
Si të shmangni turmat në Islandë?
Për të përhapur fluksin e turistëve, Bordi i Turizmit po promovon destinacione më pak të njohura si Westfjords dhe veriun e vendit.
“Westfjords është një xhevahir i fshehur me male mahnitëse, fjorde bregdetare dhe fshatra të vegjël peshkatarësh,” thotë Ívarsson, duke shtuar se “në veri, përvoja e diellit që ‘perëndon pa perënduar kurrë’ gjatë verës është e paharrueshme.”