Balla në mbrojtje të 'ushtar' Begajt: Presidenti nuk ka shkelur ligjin, nuk do ta shkarkojmë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dalë në mbrojtje të Presidentit Bajram Begaj, pas denoncimit të Partisë Demokratike se kreu i shtetit ushtron aktivitet privat si mjek në një klinikë dhe se djali i tij përfiton rrogë nga një kompani sigurimesh e cila fiton 100% tenderat e presidencës.

Balla, i akuzuar për vete si përfaqësues i bandave, deklaroi se Presidenti “nuk ka kryer asnjë shkelje” dhe “nuk do të shkarkohet”, duke u shndërruar në mburojën politike të radhës për një shërbëtor të Edi Ramës, “Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Në vlerësimin tim, Presidenti nuk ka shkelur ligjin,” – u shpreh Balla, duke përsëritur formulën tashmë të njohur të PS-së për çdo akuzë që prek njerëzit e saj.

Reforma Zgjedhore, e njëjta histori me tjetër emër

Në vijim të fjalës së tij, Balla u përpoq të justifikonte vonesat në ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke sjellë si argument “traditën parlamentare” të përfshirjes së të gjitha partive, përfshirë ato pa grup parlamentar.
Në fakt, nën petkun e “barazisë”, PS kërkon të ruajë kontrollin mbi procesin, duke u dhënë partive të vogla rol dekorativ dhe duke i diktuar opozitës partinë e Tom Doshit si parti opozitare, me qëllimin e vetëm të uzurpimit të komisionit.

“Propozimi ynë ka qenë i njëjtë si gjithmonë: të jemi të barabartë, edhe në numër edhe në të drejtën e vetos,” – tha Balla, duke lënë të kuptohet se çdo lëvizje e opozitës në këtë drejtim do të bllokohet me të njëjtën “veto” socialiste që ka mbajtur peng reformën prej vitesh.

Për akuzat ndaj Begajt: “Nuk merrem me thashetheme”

I pyetur nëse ka dijeni për pagesat që Presidenti mund të ketë marrë nga një spital privat, Balla zgjodhi ta minimizojë çështjen me një ton përçmues ndaj mediave.
Në vend që të kërkonte sqarim institucional, ai u mjaftua me frazën e zakonshme të mbrojtjes politike:

“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Shkeljen e Kushtetutës e vërteton vetëm Gjykata Kushtetuese,” – tha ai, duke lënë të kuptohet se për PS-në, çdo akuzë ndaj njerëzve të saj është “thashethem”.