Gjekmarkaj me ambasadoren e Zvicrës: 11 maji, farsë! Drejtësia mori peng lidershipin e opozitës në vit elektoral

Deputeti i PD-së, njëherazi dhe Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber.

Në postimin e tij në Facebook, Gjekmarkaj thekson se ka ndarë me ambasadoren Huber shqetësimin për situatën politike në vend, sidomos në lidhje me procesin zgjedhor të 11 Majit, i cili  u konsiderua  si një farsë elektorale.

‘Vura në dukje pengmarrjen e lidershipit opozitar nga drejtësia gjatë një viti elektoral, një veprim që kulmoi me arrestimin e paligjshëm të liderit historik të opozitës, z. Sali Berisha, si dhe me arrestimin e deputetëve të tjerë si z. Ervin Salianji. Këto ishin dhe janë  goditje të rënda për balancën demokratike në vend qartësisht si kontribut ne modifikimin e rezultatit elektoral’, shkruan Gjekmarkaj.

Postimi i plotë:

Takova Ambasadoren e Zvicrës në Tiranë Shkelqesine e saj  Ruth Huber në cilësinë e Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ku shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, veçanërisht në forcimin e institucioneve demokratike dhe parlamentarizmit. Vlerësova bashkëpunimin  mes dy vendeve dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në rrugën tonë në menyre që Shqiperia të rikthehet në rrugen  e  demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ndava me Ambasadoren shqetësimin për situatën politike në vend, sidomos në lidhje me procesin zgjedhor të 11 Majit, i cili  u konsiderua  si një farsë elektorale. Vura në dukje pengmarrjen e lidershipit opozitar nga drejtësia gjatë një viti elektoral, një veprim që kulmoi me arrestimin e paligjshëm të liderit historik të opozitës, z. Sali Berisha, si dhe me arrestimin e deputetëve të tjerë si z. Ervin Salianji. Këto ishin dhe janë  goditje të rënda për balancën demokratike në vend qarteisht si kontribut ne modifikimin e rezultatit elektoral!

Sot jemi përballë një tjetër situate të paprecedentë, ku opozitës i mohohet e drejta e fjalës, interpelancave dhe debatit në Kuvend, duke shndërruar parlamentin në një institucion njëngjyrësh, që funksionon vetëm sipas vullnetit të mazhorancës. Prej mbi një muaj  parlamenti është marrë peng!

Kërkuam që çdo ambasador i vendeve perëndimore në Shqipëri të jetë zëdhënës i të vërtetës dhe i dramave që po kalon demokracia shqiptare, duke mos heshtur përballë deformimeve serioze të sistemit politik dhe parlamentar në vend.