SHBA godet perandorinë e mashtrimit me kriptovaluta në Kamboxhia: Sekuestrohen mbi 14 miliardë dollarë në Bitcoin
Autoritetet amerikane kanë sekuestruar më shumë se 14 miliardë dollarë (12 miliardë euro) në bitcoin dhe kanë ngritur akuza ndaj Chen Zhi, 38 vjeç, themelues i konglomeratit kamboxhian Prince Holding Group, për një mashtrim të gjerë global me kriptovaluta që dyshohet se përfshiu punë të detyruar dhe pastrim parash në shkallë të madhe.
Sipas prokurorëve federalë në Brooklyn, Chen ka ndërtuar një “perandori kibernetike të mashtrimit” përmes së ashtuquajturave skema “vrasja e derrave”, ku viktimat fitonin besim online përpara se të mashtroheshin në investime të rreme me kriptovaluta. Hetuesit thonë se individë në kampe pune të detyruar ishin detyruar të kanalizonin miliarda dollarë në këto skema.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar, SHBA-të dhe Britania kanë vendosur sanksione ndaj grupit Prince, ndërsa Thesari amerikan e ka cilësuar atë si një organizatë kriminale transnacionale.
Prokurorët zbulojnë se Chen dhe bashkëpunëtorët e tij kishin ndërtuar të paktën 10 komplekse të punës së detyruar në Kamboxhia, ku punëtorët, shpesh migrantë të mashtruar me oferta të rreme pune, mbaheshin kundër vullnetit të tyre dhe detyroheshin të menaxhonin dhjetëra mijëra profile të rreme në rrjete sociale. Shumë prej tyre, sipas hetimit, ishin izoluar, keqtrajtuar dhe rrahur, ndërsa një viktimë humbi mbi 400 mijë dollarë në kriptovaluta.
Autoritetet deklaruan se shteti amerikan mund të përdorë bitcoin-in e sekuestruar për të kompensuar viktimat, nëse kjo miratohet nga gjykata. Në total, janë konfiskuar 127,271 bitcoin, me vlerë aktuale rreth 97,200 euro për njësi.
Chen, i cili ka lidhje të afërta me ish-kryeministrin Hun Sen dhe djalin e tij Hun Manet, përballet me deri në 40 vjet burg nëse shpallet fajtor. Ai është akuzuar për komplot për mashtrim bankar dhe komplot për pastrim parash.
Eksperti i krimit transnacional, Jacob Daniel Sims, deklaroi se ky është një sinjal i qartë për regjimet që mbështesin ekonominë kriminale:
“Këto veprime nuk do ta ndalin menjëherë ekonominë e mashtrimit, por i ndërpresin oksigjenin dhe tregojnë se krimi i elitës si strategji sunduese është një shpatë me dy tehe.”