Begaj zgjodhi puçin Kushtetues në vend të garantit të Kushtetutës!
Nga Petrit Vasili/
Presidenti i Republikës u bë pjesë aktive e puçit për rrëmbimin e mandateve të Gjykatës Kushtetuese duke braktisur totalisht detyrimin e tij për të qenë garant i Kushtetutës.
Interesa të tjera dhe jo interesi më i lartë shtetëror udhëhoqën veprimet e Presidentit kundër Gjykatës Kushtetuese duke sjellë pasiguri të plotë juridike dhe tronditje të madhe në gjykatën më të rëndësishme të Republikës tonë.
Gjykata Kushtetuese, e cila u ngrit me aq shumë mundime dhe pas aq shumë pengesash është sot nën një atak antikushtetues dhe antiligjor të paprecedent nga Presidenti i Republikës.
Ky puç ku është përfshirë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë duhet ndëshkuar me të gjithë fuqinë e ligjit sepse i ka kthyer zyrat më të larta të shtetit në instrumente të pazareve të ndyra korporatiste.
Ndaj hetimi dhe ndjekja penale shumë e thelluar është detyrim dhe shërbim për të shpëtuar themelet e Republikës dhe besimin e popullit ndaj tyre sepse veprimet që kanë ndodhuar i kanë tronditur ato.
Më shumë të drejtë Partia Demokratike kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit për shkelje shumë të rënda të Kushtetutës.
Më poshtë është shkelja e argumentuar e kushtetutës nga Presidenti për Gjykatën Kushtetuese.
SHKELJA NR. 2
Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues
Në kundërshtim me nenet 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen antikushtetuese të mandatëve të anëtarëve të kësaj Gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre, si forma kyce e cenimit të pavarësisë së gjyqtarit kushtetues.
Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:
Ka ushtruar parakohe kompetencën e tij, pa i lindur ende e drejta;
Ka ndërhyrë në mënyrë të dhunëshme dhe brutale në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese;
Ka investuar Gjykatën Kushtetuese në tejkalim të kompetencave të tij, duke i uzurpuar përgjegjësinë/kompetencën ekskluzive Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
Ka vënë në pikëpyetje kohëzgjatjen e të gjitha mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar në mënyrë brutale pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe duke krijuar gjendje pasigurie të qëndrimit në detyrë për të gjithë trupën e anëtarëve të Gjykatës;
Ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shprehet për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që janë emërtesë e Kuvendit.