Gazment Bardhi akuza Presidentit Begaj: Ndërhyrje antikushtetuese për mandatin e Sonila Bejtes

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në lidhje me emërimet dhe mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në një konferencë për mediat, Bardhi deklaroi se Presidenti ka shkelur shtatë nene të Kushtetutës, duke ndërhyrë në mënyrë antikushtetuese në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se një nga rastet konkrete është ai i gjyqtares Sonila Bejtja, për të cilën Presidenti Begaj ka kërkuar ndërprerjen e mandatit përpara afatit kushtetues.

“Shkelja e dytë e Presidentit të Republikës ka të bëjë me ndërhyrjen brutale antikushtetuese në çështjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues,” deklaroi Bardhi, duke renditur nenet 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës që sipas tij janë cenuar.

Sipas Bardhit, më 30 janar 2025, Presidenti Begaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar deklarimin e përfundimit të mandateve të disa anëtarëve, mes tyre edhe të gjyqtares Sonila Bejtja, veprim që ai e cilësoi “uzurpim të kompetencave të Kuvendit”.

Kreu i grupit demokrat shtoi se Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta për rastin e Bejtes, e cila, sipas tij, ka marrë mandat të plotë në zëvendësim të ish-gjyqtarit Besnik Muçi. Bardhi nënvizoi se afatet e mandateve janë të përcaktuara qartë për secilin anëtar dhe çdo ndërhyrje e Presidentit përbën cenim të pavarësisë së gjyqtarëve kushtetues.

“Nuk ka guxuar kurrë më parë asnjë President i Republikës të cënojë në këtë formë pavarësinë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese,” tha Bardhi.

Sipas tij, çdo analizë mbi kohëzgjatjen e mandateve duhet të bazohet në tre elementë: Kushtetutën, ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe aktet e emërimit të gjyqtarëve, duke garantuar kështu stabilitet dhe pavarësi të plotë në ushtrimin e detyrës.