'E njëjta situatë që prej kohës së komunizmit', Banorët e fshatit Polis: Infrastruktura dhe uji i pijshëm janë luks i harruar!
Banorët e fshatit Polis shprehen se prej kohësh vuajnë problematikën e rrugës, e cila ndikon jo vetëm në jetesën e tyre të përditshme, por edhe në shitjen e prodhimeve të zonës.
Ata detyrohen t’i ngarkojnë dhe t’i dërgojnë produktet në Elbasan me fugon, pasi askush nuk vjen t’i marrë në vend.
Sipas banorëve, situata është e njëjtë që prej hapjes së rrugës në kohën e komunizmit, e që nga ajo kohë vijon amortizimi i aksit që lidh fshatin Polis me zonën e Labinotit Fushë.
Problemet përkeqësohen sidomos gjatë stinës së reshjeve, kur rruga bëhet e pa kalueshme dhe fëmijët kanë vështirësi për të shkuar në shkollë.
Një shqetësim tjetër i banorëve mbeten ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me ujë të pijshëm.
Megjithëse këto problematika janë ngritur shpesh herë në bashki, askush nuk ka marrë masa konkrete apo investuar në infrastrukturën rrugore të zonës, duke i lënë banorët në mëshirë të fatit.
Gjendja e rrugës ka bërë që shumë të rinj dhe banorë të braktisin zonën dhe të largohen në emigrim. Aktualisht, në të gjithë zonën kanë mbetur rreth 120 shtëpi, shumica e të cilave janë të banuara vetëm nga të moshuarit.