Trump po krahasohet me Kirin e Madh. Por kush ishte ai?

Me të dyja palët që kanë rënë dakord për kushtet, fazat e para të një plani paqeje në Gaza kanë hyrë në zbatim.

Presidenti amerikan Donald Trump po vlerësohet (sidomos në Izrael dhe SHBA) për rolin vendimtar që ka luajtur në këtë zhvillim.

Por pse në Izrael janë shfaqur pankarta me mbishkrimin "Kiri i Madh është gjallë"?

Kush ishte Kiri dhe pse është i famshëm?

Themeluesi i perandorisë perse akemendase

Kiri i Madh ishte themeluesi i perandorisë perse akemendase (550 p.e.s. – 330 p.e.s.).

Nën drejtimin e Kirit dhe pasardhësve të tij, perandoria perse u shtri në një territor të gjerë që përfshinte Iranin, Mesopotaminë (që përfshin pjesë të Turqisë, Sirisë dhe Irakut të sotëm), Egjiptin, Azinë e Vogël (kryesisht Turqia e sotme) dhe Azinë Qendrore.

Një moment kyç i këtij zgjerimi ishte pushtimi i Babilonisë dhe territoreve përreth saj (kryesisht në Irakun e sotëm) në vitin 539 p.e.s.

Mbreti babilonas Nabonid kontrollonte pjesë të mëdha të Mesopotamisë dhe Arabisë veriore. Një tabelë balte e ruajtur, e quajtur Kronika e Nabonidit, përshkruan pakënaqësinë e popullsisë ndaj tij. Reformat e papëlqyera fetare dhe mungesat e gjata nga kryeqyteti ishin ndër arsyet kryesore.

Me që mposhtur Nabonidin, Kiri shpalli një dekret që u jepte liri të burgosurve, përfshirë hebrenjtë e mërguar në Babiloni.

Një qasje më njerëzore ndaj qeverisjes

Nebukadnezari II, mbret i perandorisë babilonase nga 605 deri më 562 p.e.s., kishte pushtuar mbretërinë e Judës (në territorin e sotëm të Izraelit dhe Palestinës) në vitin 587 p.e.s.

Për shkak të kryengritjeve, ai plaçkiti Jerusalemin dhe dëboi mijëra hebrenj në Babiloni.

Kur Kiri i liroi të mërguarit hebrenj afërsisht 50 vjet më vonë, shumë prej tyre u kthyen në Judë.

Libri biblik i Ezrës përmend këtë dekret.

Sipas këtij versioni të historisë, Zoti e kishte urdhëruar Kirin të rindërtonte tempullin në Jerusalem që Nebukadnezari II e kishte shkatërruar. Dekreti i lejoi hebrenjtë e mërguar të ktheheshin dhe ta rindërtonin tempullin.

Në Librin e Isaisë në Dhiatën e Vjetër, Kiri përshkruhet si i zgjedhuri i Zotit për të çliruar hebrenjtë nga Babilonia.

Për këtë arsye, Kiri u bë (dhe mbetet) një figurë legjendare në historinë hebraike, edhe pse vetë nuk ishte hebre. Ai ndoshta ishte ndjekës i zoroastrizmit, një fe që u përqafua me pasion nga pasardhësit e tij, përfshirë Darin I (që sundoi nga 522 deri më 486 p.e.s.).

Një tabelë balte e lashtë nga Babilonia sugjeron se pushtimi i qytetit nga Kiri ishte paqësor. Ajo konfirmon kthimin e të mërguarve, megjithëse nuk përmend posaçërisht hebrenjtë. Kjo tabelë njihet sot si "cilindri i Kirit" dhe shpesh përmendet si një deklaratë e lashtë e të drejtave të njeriut. Një kopje e saj ndodhet në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Kiri është kujtuar në antikitet për atë që, për kohën e tij, ishte një qasje relativisht njerëzore ndaj sundimit.

Shkrimtari grek Ksenofoni, që shkroi Kiropedian (Edukimi i Kirit), shkroi rreth vitit 370 p.e.s. se nënshtetasit e Kirit "ai i donte dhe përkujdesej për ta si një baba për fëmijët e vet dhe ata që ishin nën sundimin e tij e nderonin si një baba."

Reputacioni i tij si sundimtar i drejtë dhe bamirës u përhap gjatë sundimit të tij dhe më pas. Si një nga "fitimtarët" e historisë, Kiri do të ishte i kënaqur me propagandën pozitive që ka vazhduar për të ndër shekuj.

Pushtime dhe pasuri

Sigurisht, Kiri ishte edhe një luftëtar dhe strateg i madh. Një nga pushtimet e tij më të famshme ishte ai i mbretërisë së Lidias (në jugperëndim të Turqisë së sotme) rreth vitit 546 p.e.s. Mbreti i saj, Kroesi, njihej për pasurinë e jashtëzakonshme.

Fillimisht, Kiri urdhëroi që Kroesi të digjej i gjallë, por sipas historianit grek Herodotit (shekulli V p.e.s.), perëndia Apoll dërgoi një shi të rrëmbyeshëm që e shpëtoi atë. Më pas, Kroesi u bë këshilltar i besuar i Kirit, duke forcuar më tej reputacionin e mbretit pers si i mëshirshëm.

Kiri njihet gjithashtu për projektet e mëdha ndërtimore, më i famshmi prej të cilëve ishte kompleksi mbretëror në Pasargadae (në Iranin jugor të sotëm).

Pallati dhe ndërtesat e tjera ishin të rrethuara nga kopshtet madhështore të parajsës.

Sot, ndërtesa më e ruajtur në Pasargadae është varri i Kirit, i cili është bërë një simbol i fuqishëm i nacionalizmit iranian dhe pers. Trashëgimia e tij mbetet e rëndësishme në Iranin modern.

Pra, pankartat që e krahasojnë Trump-in me Kirin e Madh mbështeten në historinë e rolit të Kirit në çlirimin e të burgosurve hebrenj.

Në këtë kontekst simbolik, Gaza paraqitet si Babilonia, ndërsa Trump-i si Kiri i ri.

Shtrohet pyetja se çfarë do të mendonte vetë Kiri i Madh për këtë krahasim. / The Independent - Syri.net