Gjekmarkaj-Peleshit: Partia jote të nxjerr në pritë...Nuk është diversion, por keqardhje për ju

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, i ka kujtuar kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, se partia e tij po e nxjerr në pritë që të shkelë ligjet dhe më pas t’i zënë karrigen.

Gjatë Konferencës së Kryetarëve, Gjekmarkaj theksoi se ky nuk ishte diversion por keqardhje për Peleshin.

Gjekmarkaj: Unë mendoj se secili është përgjegjës për veten dhe për retorikën që ndërton!

Ju na thoni: “Fol si duhet, fol ashtu, fol kështu, fol gjatë, fol shkurt, mos bëj moral, mos bëj zhurmë…”

Por a është normale që nga pala tjetër të na mësojnë se si duhet të sillen deputetët? Kjo është çështje e secilit. Mos u sillni me arrogancë si edukatorë!

Më bëri përshtypje në sallë një fyerje që zoti Balla bëri jashtë mikrofonit, ndërsa zonjat e PS-së, të cilat shtrembëruan fytyrën për fjalët e Bardhit, nuk e dëgjuan “aromën akustike” të metaforës së Taulant Ballës!

Gjithë kohës mbani dy standarde, dhe zoti Balla duhet të kërkojë falje. Nuk e kuptoj këtë çmenduri të këtyre muajve njoftime, procesverbale, dhe pastaj ikni me vrap!

Meqë jeni lodhur, ju sugjeroj ta mbyllni këtë parlament deri në pranverë: pushoni, reflektoni kalon dimri, vjen pranvera, dhe pastaj shohim e bëjmë!

Më vjen keq për ju, zoti kryetar, sepse po ju zhbëjnë, po ju nxjerrin në prita, po ju komandojnë nga poshtë e nga lart!

Thonë që për gjashtë muaj do t’ju zënë vendin! Nuk po bëj diversion, por po konstatoj derexhenë institucionale ku jemi katandisur.