'Menaxhimi i mbetjeve', Bozdo: Qeveria e Ramës vazhdon të shpenzojë miliona pa rezultat! SPAK fle gjumë

Enno Bozdo, deputeti i PD-së, në studion e “Kafe Shqeto” ditën e sotme ka komentuar situatën e mbetjeve në vend dhe dështimet e qeverisjes së Ramës në këtë sektor.

Ai theksoi se çështja e mbetjeve është kthyer në një problem kronik që preket nga të gjitha segmentet e shoqërisë, duke filluar nga ajri, uji, tokat, e deri tek imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Bozdo denoncoi se qeveria aktuale ka bllokuar projekte të rëndësishme që do të mund të zgjidhnin problemet e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve, duke i'a lënë vendin ideve të paqarta për inceneratorë të cilët, nuk janë as projektuar dhe kanë shpenzuar miliona euro në mënyrë të pakuptimtë.

Deputeti i PD-së kujtoi eksperiencën e tij si ish-zëvendëskryetar i Bashkisë Tiranë, ku ishte përfshirë dy vite me projekte për menaxhimin e mbetjeve të Sharrës, të cilat u bllokuan nga qeveria e re, duke e bërë Shqipërinë më keq se sa në dekadat e fundit.

"Unë kam pasur postin e zëvendëskryetarit të bashkisë Tiranë, e njoh mirë këtë sektor sepse jam marrë dy vite me një projekt për menaxhimin e mbetjeve të Sharrës, gjë e cila, pasi ishim duke i dhënë zgjidhje dhe ishim gati për t’i dhënë zgjidhje, qeveria e re e Ramës e bllokoi atë projekt, ku 1 vit ishte pezullim, e pastaj ndodhi ideja e inceneratorit total, që doli pa kuptuar.

Ai theksoi rëndësinë e transparencës dhe zbatimit të ligjit, duke shtuar se ky projektligj i fundit nuk zgjidh asgjë dhe vazhdon të rrezikojë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

Enno Bozdo:

"Gjithmonë tema e mbetjeve. Shikoni, ju veçuat lajmin e shkeljes së autonomisë vendore, dhe për mua, personalisht, ndoshta s’jam jurist, është më e pakta që mund të ndodhë. Sepse kur vjen çështja tek mbetjet, jemi bërë më keq se në mesjetë.

Mesjeta ka pasur mbetje organike përgjithësisht dhe dekompozoheshin, kurse ne i lëmë pirgjeve, veçanërisht kemi qejf t’i vëmë buzë Jonit apo Adriatikut.

Të digjen disa herë gjatë verës sepse ajri i pastër nuk mund të jetë pa tymin e tyre, pa llogaritur ato ujëra që prekin nëntokën, prekin shtretërit e lumenjve, detin dhe të gjithë ekosistemin.

Ka vite që ndodh një gjë e tillë, ka të paktën 14 vite. Dhe qëllon që unë, për arsye që kam pasur postin e zëvendëskryetarit të bashkisë Tiranë, e njoh mirë këtë sektor sepse jam marrë dy vite me një projekt për menaxhimin e mbetjeve të Sharrës, gjë e cila, pasi ishim duke i dhënë zgjidhje dhe ishim gati për t’i dhënë zgjidhje, qeveria e re e Ramës e bllokoi atë projekt, ku 1 vit ishte pezullim, e pastaj ndodhi ideja e inceneratorit total, që doli pa kuptuar.

Ajo që ju kap në insert është me rëndësi, por për mua gjëja më e rëndësishme është se ky projektligj nuk zgjidh asgjë.

Në 12 vite kemi 3 inceneratorë që nuk janë projektuar, 400 milion euro të avulluara, një SPAK që fle gjumë, helmimin e popullatës, prishjen e imazhit të Shqipërisë, dhe jemi më keq se ajo që mund të kemi qenë 80 vite më parë".