Skandal arkivash në Shqipërinë e pasluftës, Studiuesi: Dokumente të rëndësishme u shitën në treg si letër ambalazhi!

Studiuesi i njohur Kastriot Dervishi ka publikuar së fundmi një postim në rrjetin social Facebook, ku ndan një dokument historik që hedh dritë mbi mënyrën skandaloze të trajtimit të materialeve arkivore në Shqipërinë e pasluftës.

Sipas Dervishit, dokumenti mban datën 29 korrik 1947 dhe është një relacion i Institutit të Studimeve (Seksioni i Historisë) drejtuar Këshillit të Ministrave. Në këtë relacion, institucioni shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e arkivave shtetërore, duke theksuar se shumë dokumente po humbnin apo po shkatërroheshin.

Në tekstin e dokumentit thuhet se:

“Nuk kanë qenë të rralla rastet në kohët e kaluara që dispozita materiali arkival të jenë prishur ose shpërndarë, ndër to edhe materiali i vjetër në gjuhën turqisht që i përket periudhës së okupacionit turk. Por të tilla ngjarje të hidhura nuk janë vetëm nga koha e kaluar… Në tregun e Tiranës, në vitin 1947, d.m.th. këto ditë, është shitur si kartë ambalazhi me kuintal material turqisht i arkivit të Prefekturës së Tiranës dhe material arkival që i përket kohës së okupacionit italian me proviniencë nga Prefektura e Tiranës dhe nga Ministria e Financave (si duket është nxjerrë në treg me rastin e transferimit të saj nga selia e vjetër).”

Dervishi shoqëron publikimin me një koment kritik ndaj atyre që, sipas tij, “besojnë përrallën se Enver Hoxha ua la tapitë gati”, duke ironizuar pretendimet për menaxhim të rregullt të dokumentacionit shtetëror në periudhën komuniste.

Postimi i Dervishit:

 1947/Dokumentet në treg për ambalazh (për ata që shijojnë përrallën se EH ua la tapitë gati)

Instituti i Studimeve (Seksioni i Historisë) me relacionin nr.15, datë 29.7.1947 dërguar Këshillit të Ministrave e vlerësonte gjendjen e arkivave shumë shqetësuese. Cilësohej se dokumentet po humbnin nga zyrat e ndryshme të shtetit. Konstatimi ishte dëshpërues: 

“Nuk kanë qenë të rralla rastet në kohët e kaluara që dispozita materiali arkival të jenë prishur ose shpërndarë, ndër to edhe materiali i vjetër në gjuhën turqisht që i përket periudhës së okupacionit turk. Por të tilla ngjarje të hidhura nuk janë vetëm nga koha e kaluar...

Në tregun e Tiranës, në vitin 1947, d.m.th. këto ditë, është shitur si kartë ambalazhi me kuintal material turqisht i arkivit të Prefekturës së Tiranës dhe material arkival që i përket kohës së okupacionit italian me proviniencë nga Prefektura së Tiranës dhe nga Ministria e Financave (si duket është nxjerrë në treg me rastin e transferimit të saj nga selia e vjetër).