Çfarë i ndan gjermanët dhe sa të thella janë përçarjet?

Shumica dërrmuese e gjermanëve – mbi katër të pestat e tyre – e perceptojnë vendin si thellësisht të ndarë dhe më të polarizuar se kurrë më parë, veçanërisht për shkak të çështjes së imigracionit, sipas një sondazhi të ri të Forumit Mercator për Migracionin dhe Demokracinë (MIDEM).

Në raportin e publikuar të martën, ku janë anketuar rreth 34 mijë persona nga disa vende, përfshirë 4,400 gjermanë, rezulton se pas imigracionit, temat më polarizuese janë ndryshimet klimatike dhe ndihma për Ukrainën. Sipas studiuesve, “polarizimi ideologjik” ndodh kur njerëzit me qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara humbasin respektin dhe tolerancën ndaj njëri-tjetrit, duke e kthyer debatin politik në përplasje emocionale.

Drejtori i kërkimit në MIDEM, Hans Forländer, theksoi se “nuk kalon asnjë ditë pa paralajmërime për thellimin e përçarjeve”, por sipas tij, këto paralajmërime janë të pamjaftueshme pa një analizë më të thelluar të shkaqeve. “Duhet të përcaktojmë se kur polarizimi është pjesë normale e pluralizmit demokratik dhe kur kthehet në kërcënim për vetë demokracinë,” tha ai.

Studimi zbulon se të moshuarit, burrat dhe personat me të ardhura të ulëta janë më të prirur ndaj polarizimit emocional, ndërsa simpatizantët e partive si Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe të Gjelbërit shfaqin nivelet më të larta të refuzimit emocional ndaj kundërshtarëve. Ndërkohë, mbështetësit e CDU/CSU, SPD dhe FDP shfaqin qëndrime më të moderuara.

Në çështjen e ndryshimeve klimatike, 41.6% e të anketuarve mendojnë se autoritetet nuk kanë bërë mjaftueshëm, ndërsa 39.6% besojnë se masat e marra janë tashmë të tepruara. Në temën e imigracionit, dy të tretat kërkojnë kufizime më të rrepta, ndërsa 40% e gjermanëve duan që emigrantët të përshtaten plotësisht me kulturën vendase.

“Politika sot është nën presionin e interesave të artikuluara drejtpërdrejt, ndërsa mediat dixhitale theksojnë emocionet mbi arsyen,” shtoi Forländer, duke paralajmëruar se debatet e ngarkuara emocionalisht po e dëmtojnë bashkëjetesën demokratike.

Christiane von Websky nga MIDEM tha se “barometri i polarizimit” duhet të shërbejë si një sinjal alarmi. “Kontestimet janë të nevojshme për një demokraci të gjallë, por jo kur kthehen në armiqësi. E rëndësishme është të mbetemi në gjendje të flasim për gjërat që na ndajnë,” përfundoi ajo.