Breshkat e detit të gjelbër shpëtojnë nga rreziku i zhdukjes, popullata e tyre rritet me 28%
Popullata e breshkave të detit të gjelbër, dikur të rrezikuara seriozisht nga zhdukja, është rritur me 28% që nga vitet 1970, pavarësisht “kërcënimeve të vazhdueshme” që përballen në habitatet e tyre natyrore.
Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), kjo rritje e ndjeshme ka bërë që specia të riklasifikohet nga “e rrezikuar” në “më pak shqetësuese” – një sukses i madh për përpjekjet globale të ruajtjes detare.
Breshkat e detit të gjelbër, që jetojnë në ujërat tropikale dhe subtropikale anembanë botës, pësuan një rënie drastike në numër gjatë viteve 1980 për shkak të gjuetisë së gjerë për mish dhe vezë. Vite më vonë, falë masave mbrojtëse ndaj femrave folezuese dhe kontrollit të kapjeve të paqëndrueshme, popullata e tyre ka arritur një rimëkëmbje historike.
Në Kongresin Botëror të Konservimit të IUCN-së në Abu Dhabi u njoftua zyrtarisht se breshkat e gjelbra kanë kaluar nga “të rrezikuara” në “më pak shqetësuese”, duke anashkaluar kategoritë e ndërmjetme “të cenueshme” dhe “pothuajse të kërcënuara”. Megjithatë, ekspertët theksojnë se popullata mbetet ende shumë më e ulët krahasuar me nivelet para kolonizimit evropian.
“Kjo është një fitore e madhe për ruajtjen e breshkave dhe dëshmi se veprimi i koordinuar mund të përmbysë rënien e specieve në rrezik,” deklaroi Christine Madden, udhëheqëse globale e ruajtjes së breshkave detare në WWF. Ajo paralajmëroi se “nuk është koha për vetëkënaqësi” dhe se “përpjekjet për ruajtjen e natyrës duhet të vazhdojnë” për të shmangur kërcënimet nga peshkimi i tepërt, ndotja dhe humbja e habitateve.
Roderic Mast i IUCN-së shtoi se “breshkat e detit nuk mund të mbijetojnë pa oqeane të shëndetshme – dhe as njerëzit nuk munden”. Ai nënvizoi se ruajtja afatgjatë e ekosistemeve detare është thelbësore për mbijetesën e tyre.
Në anën tjetër, ndërsa breshkat e gjelbra po shënojnë një sukses historik, lajmet nuk janë po aq pozitive për disa specie arktike: foka me kapuç është riklasifikuar si “e rrezikuar”, ndërsa fokat me mjekër dhe harp janë shpallur “pothuajse të kërcënuara”. Shkaku kryesor, sipas IUCN-së, është humbja e akullit detar për shkak të ngrohjes globale, që po ndikon ndjeshëm në aftësinë e tyre për t’u shumuar dhe ushqyer.
“Ndryshimi i klimës nuk është një kërcënim i ardhshëm, por një realitet që po ndodh tani,” thekson Dr. Kit Kovacs nga IUCN, duke shtuar se “ruajtja e fokave të Arktikut është thelbësore për ekuilibrin delikat të gjithë rajonit.”