Studimi alarmues: Vetmia dhe izolimi shoqëror rrisin ndjeshëm rrezikun e vdekjes nga kanceri

Një analizë e re shkencore ka zbuluar se lidhjet shoqërore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ecurinë e pacientëve me kancer. Studimi, i botuar në BMJ Oncology, tregon se pacientët që jetojnë të vetmuar ose janë të izoluar shoqërisht kanë një rrezik 34% më të lartë për të vdekur nga çdo shkak dhe 11% më të lartë për të vdekur specifikisht nga kanceri.

Ekipi kërkimor kanadez analizoi të dhëna nga 16 studime të mëparshme, që përfshinin mbi 1.6 milion persona me kancer në vende si Kanada, Angli, Finlandë, Francë, Irlandë, Japoni dhe SHBA. “Vetmia dhe izolimi shoqëror mund të ndikojnë në rezultatet e kancerit përtej faktorëve biologjikë apo trajtimit mjekësor”, thanë autorët e studimit.

Sipas tyre, vetmia mund të shkaktojë një reagim të fortë stresi që dëmton sistemin imunitar dhe rrit inflamacionin, duke përkeqësuar gjendjen e pacientit. Nga ana tjetër, ndikimi emocional i sëmundjes – ndjenja e mospërkrahjes ose humbja e kontaktit me të afërmit – mund të dëmtojë rëndë shëndetin mendor të pacientëve me kancer.

Megjithëse analiza ka disa kufizime metodologjike, ajo shton prova të reja për efektet e dëmshme të vetmisë në shëndetin njerëzor. Studime të mëparshme kanë treguar se mungesa e lidhjeve shoqërore rrit gjithashtu rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru, diabetit të tipit 2, demencës, depresionit dhe madje edhe sjelljeve vetëvrasëse.

Studimi publikohet në një moment kur rastet e reja të kancerit pritet të rriten me afro 75% deri në vitin 2050, veçanërisht në vendet me të ardhura më të ulëta, për shkak të rritjes së popullsisë dhe plakjes.

Studiuesit theksojnë se është urgjente të forcohet mbështetja psikosociale për pacientët me kancer dhe të zhvillohen programe ndërhyrjeje që synojnë përmirësimin e mirëqenies mendore dhe sociale gjatë trajtimit të sëmundjes.